Që prej paradites së sotme, porti i Barit u mbyll përkohësisht për shkak të kushteve të këqia të motit, si pasojë e erës së fortë.

Për këtë shkak, edhe dy tragetet e parashikuara për t’u nisur mbrëmjen e sotme nga Durrësi drejt Barit, anuluan lundrimin, deri në një njoftim të dytë.

Në videon e mëposhtme që po publikon DurrësLajm shihet situata mjaft e vështirë e krijuar në brigjet e Barit, si pasojë e erës mjaft të fortë.

Dallgë të mëdha, deri në disa metra lartësi, përplasen në brigjet shkëmbore të Polignano-s, Bari, gjatë ditës së sotme. Deti i trazuar dhe era e fortë, detyruan Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Kapitanerinë e Durrësit që të njoftonin ditën e diel se ditën e mërkurë dhe të enjte pezullohej lundrimi i anijeve të peshkimit.

Flota e peshkimit e Durrësit është që nga fillimi i kësaj jave e ankoruar në kalatë, ndërkohë që sot udhëtoi vetëm trageti i linjës Durrës-Ankona, pasi në portin italian nuk ishte aq e vështirë situata meteorologjike sa në Bari.

As nesër në mëngjes nuk do të mbërrijnë në Durrës tragetet nga Bari, për shkak të forcës së detit 6-7 shkalla bufort dhe erës me drejtim veri-perëndim dhe shpejtësi deri në 32 milje në orë.