Spanjë, 29 prill 2014 – Dani Alves shpjegon pozicionin e tij ndaj shfaqjes së racizmit në futboll. Lojtari i Barcelonës, foli kryesisht për çështjen e “bananes”, ku ai vetë ishte protagonist i një gjesti spontan që më pas u bë simbol i luftës kundër racizmit në rrjetet sociale. Thjeshtësia dhe ironia therëse e këtij veprimi patën impakt të jazhtëzakonshëm në publik.

“Në Spanjë racizmi ndaj të huajve është shumë i ndjeshëm. Në këtë vend e konsiderojnë veten ndër të parët në botë, por në fakt në shumë aspekte janë shumë prapa. Ishte thjesht e pabesueshme, një veprim që e bëra pa menduar pasojat. Kam folur për gjëra të ngjashme me miqtë e mi, por duke e menduar mirë, besoj se duhet të nisim një fushatë. Bota ka ecur para dhe ne duhet të ecim me të njëjtin ritim. Është një mentalitet që nuk shkon”,- tha Alvesh.

Më pas Alvesh komentoi edhe vendimin e Villareal që e përjashtoi përjetë nga stadiumi tifozin që i hodhi bananen.

“Nëse do të mundja, foton e këtij tifozi do ta hidhja në internet, në mënyrë që e gjitha bota ta poshtëronte për atë që bëri. Kështu nuk do të mund ta shfaqte fytyrën e tij në asnjë stadium. Ajo që po ndodh është befasuese, duke parë gëzimin që futbollistët e huaj kanë sjellë në futbollin europian.”,- përfundoi Alvesh. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/