Violinisti Daniel Vlashi Lukaçi është ftuar të jetë solisti i koncertit, që çel sezonin e ri artistik të Orkestrës Simfonike të RadioTelevizionit Shqiptar. I ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, Danieli tregon emocionet përpara këtij koncerti.
“Ka emocione, sepse në këtë koncert unë jam solist. Është hera e parë që luaj si solist me një orkestër profesionale. Është kënaqësi të luash me Orkestrën Simfonike të RTSH. Që kur kam qenë i vogël e kam ëndërruar. Babai im ka luajtur në vitet ‘80 në këtë orkestër, përpara se të emigronte në Spanjë.”
26-vjeçari ka lindur në Korunja (Coruña) të Spanjës. Danieli, një “figlio d’arte” tregon se prindërit e tij, artistët Florian Vlashi dhe Rediana Lukaçi, kanë ndikuar tek ai si artist.
“Unë kulturën më tepër e kam marrë në shtëpi nga nëna dhe babai. Babai ka qenë profesori im i violinës deri në moshën 17-vjeçare.”
Me humor Danieli shton:
“Kam filluar me muzikën që në moshën 5-vjeçare kur babi më vuri violinën në qafë dhe më tha ‘kjo është rruga’.”
I pyetur për raportin që ka me të atin si prind dhe mësues ai shprehet se nuk është e thjeshtë për asnjë nga të dy.
“Patjetër ai do më të mirën për mua, por ndonjëherë duhet të jesh i egër, ekzigjent. Duhet disiplinë! Nuk është e thjeshtë. Gjithmonë kemi pasur një raport shumë të mirë. Kemi luajtur aq shumë bashkë, gati pa pasur nevojë të bëjmë prova, sepse e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Kur ka qenë nevoja edhe më ka bërtitur, por vitet e fundit është më i kënaqur.”
Danieli kujton edhe këshillën që babai i jep para çdo koncerti ose një prove të fortë.
“Janë dy fjalë që gjithmonë i kujtoj: frymëzim dhe vetëkontroll. Duhet të kesh gjithmonë frymëzim për muzikën dhe emocionin, por duhet të kesh vetëkontroll dhe të qëndrosh me këmbë në tokë.”
Në kujtesë ai mban gjithashtu një çast me plot emocion në karrierën e tij.
“Mbaj mend herën e parë që kam luajtur me një orkestër simfonike, me Orkestrën Rinore të Galicisë. Ka qenë një mrekulli. Kemi luajtur pjesë nga Vagneri (o. Wagner). Ishim 80 muzikantë të moshës 15-20 vjeç. Unë isha 15 vjeç dhe thashë që duhet punuar fort me violinën për t’ia dalë.”
Danieli tani është një nga katër spalat e Orkestrës Simfonike Gjermane në Berlin.
“Kam fatin që me orkestrën ku punoj të luajmë çdo javë në sallën e Filarmonisë së Berlinit, që për mua është më e bukura dhe me më shumë histori. Është salla me akustikën më të mirë. Është vend magjik.”
Pas koncertit me Orkestrën Simfonike të RTSH-së të premten në orën 19:00, Danieli ka një tjetër koncert të rëndësishëm.
“Më kanë ftuar në një orkestër shumë të rëndësishme. Është ëndërr për mua. ‘Mahler Chamber Orchestra’ është një orkestër dhome ndoshta më e mira në botë. Kemi një koncert në Berlin dhe një në Bon.” /RTSH