Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi mëngjesin e kësaj të mërkure zonën e Manzës, ku dy të rinj, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti, u vranë me armë zjarri.
Kamarieri që ndodhej në lokal në momentin e përplasjes dhe që u përfshi në konfliktin mes dy viktimave dhe autorit të shpallur në kërkim, Daniel Pepa, ka dhënë dëshminë e tij të parë për policinë.
Ai ka treguar se gjithçka nisi për një kafe që refuzoi ta shërbente.
“Ishte ora rreth 1:45, në momentin e ngjarjes ishin pesë persona. D.P hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe kërkoi një kafe. Ekspresi ishte i fikur dhe i shpjegova se nuk shërbejmë në atë orar. Ai nguli këmbë duke thënë ‘dua kafe patjetër’ dhe nisi të më ofendonte me fjalë të rënda. Nuk i ktheva përgjigje, por në atë moment ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur. Florin e njoh, është banor i zonës dhe klient i rregullt i lokalit. Më pas debati u përshkallëzua në konflikt fizik mes tyre, që vazhdoi jashtë ambienteve të lokalit,” ka deklaruar kamarieri.





