Nga Basir Çollaku
Daniel Dobraj është fëmijë, njëlloj si Zaho Rama. Pavarësisht moshave janë të mitur të dy. Baballaret e të dyve i kane banesat në një gjendje juridike të njëjtë. Pronësi të diskutueshme. Njëri tek Unaza e Re, tjetri në Surrel. Njëri banese normale nga puna plot djersë e prindërve, tjetri Saraj i pakuptimtë dhe dyshimplotë për nga marramendësia e investimit. Danieli një nxënës ekselent, Zaho një etje pikture, siç lajmet e pushtetit na e kanë servirur trashegiminë qeveritare. Qoftë talent i mirë. Por telashet janë për Danielin.
Projekti korruptiv i babait të Zahos te Unaza e Re, do të shembë jashtëligjshmërisht banesën e babait të Danielit. Kështu Danieli do kthehet i pastrehë dhe Zaho as do dëgjojë për të derisa ngjarjet të rrokullisen në vëmendje më vonë. Duke përdorur shëmtuar, shpifur, në trajtë neveritëse incidentin ku mbeti e dëmtuar oficerja e policies Ina Nuka, gjithnjë e pavërtetë se si dhe sa është dëmtuar, babai i Zahos nis dhunimin e Danielit se mbrojti babanë e tij. Adoleshenti i shkëlqyer dhunohet nga policet e trimëruar nga babai i Zahos. Ata vënë dorë mbi të miturin dhe janë gati ti thyejnë gishtat, duke e lënduar kafshërisht. Sepse ndjen triumf babai i Zahos!!
A ka kohë Ministri i Brendshëm Sander Lleshi të urdhërojë SHÇKB, Shërbimin e Çështjeve të Kontrollit të Brendshëm, në varësi të tij, hetimin e kësaj ngjarje të rëndë?
A ka kohë të hetojë policët kur tërheqin zvarrë qytetarët dhe një 7-vjeçar mbetet në shi, i braktisur se nuk shkon dot në shtëpi?!
A është e ligjshme të mbrosh dhunshëm diçka të paligjshme?
A mund të ketë nesër një projekt udha e të cilit bie nga Surreli, bash në banesën e stërmadhe hanitshme e mistershme për nga përmbajtja të babait të Zahos?
Mund ti bjerë radha e shembjes dhe kur i zoti pretendues nuk do jetë kreu i pushteteve por një moshë e tretë e lodhur a do e djegë dëshpërimi për fatet e fëmijëve të tij kur duan ta mbrojnë mbase nga një investim publik?
Ka shume ngjarje në sfond të cilat së shpejti do të rrokin dhe babanë e Zahos, ndërsa babai i Danielit do ia ketë dalë me drejtësinë dhe banesën. Duhen mbrojtur gishta policësh, fëmijësh, të miturish, sepse janë e ardhmja e këtij vendi. Nuk mund të marrësh të pandehur një popull. Sepse vjen një dite kur populli edhe me shpirt ndër dhëmbë, të degdis tej imagjinatës. Në një Shqipëri ku sundon e drejta dhe ligji, Danieli nesër mund të jetë ministër, Kryeministër, shumëçka. Dhe Zaho të jetë një qytetar, me babanë dikur kryeministër. Një baba i padobishëm, për çka u bëri qytetarëve të tij. Dhe njerëzit do të duan të kenë më shumë Daniele nga Unaza e Re. Ata luftojnë për të drejtën…