5shtator 2015 – Mediat daneze dhe ato ndërkombëtare i kushtojnë një rëndësi të madhe sfidës së zhvilluar në Kopenhagen mes Danimarkës dhe Shqipërisë e cila vlente shumë për fatet e të dyja skuadrave në grupin I eliminator. Shumica e tyre vlerësojnë kombëtaren kuqezi për barazimin historik që arriti në tokën daneze. Faqja e Uefas lidhur me ndeshjen e Telia Parken shkruan: ” Shqipëria i reziston presionit të Danimarkës, duke theksuar se Etrit Berisha në shumë raste ndali tentativat e futbollistëve vendas, duke i dhënë një barazim me shumë vlera skuadrës së Gianni De Biasit, ndërsa Danimarka me këtë barazim nuk arriti të parakalonte dot Portugalinë në renditjen e grupit I”. Mediat daneze nga ana tjetër e cilësojnë si një dështim barazimin me Shqipërinë në Kopenhagen: ” Zhgënjim i madh i Danimarkës në Parken, është ky titulli kryesor i gazetës EkstraBladet.

Ndërkohë e përditshmja tjetër daneze TipsBladet shkruan: ” Danimarka nuk arrin të thyejë dot Shqipërinë”. Mediat italiane të cilat gjithmonë i kushtojnë një rëndësi të vecantë ndeshjeve të kombëtares shqiptare kjo edhe për faktin se kuqezinjtë drejtohen nga një italian si Gianni De Biasi, e kanë cilësuar si shumë pozitiv barazimin e marrë nga përfaqësuesja jonë në Danimarkë. ” Barazim i artë për De Biasin shkruan Gazzeta Dello Sport. Edhe SportMediaset hapet me një titull afërsisht të ngjashëm. ” Barazim i shtrenjtë i Shqipërisë ndaj Danimarkës”. Në Spanjë, As shkruan: Danimarka nuk mundet përballë një Shqipëri që vazhdon të ëndërrojë, ndërsa L’Equipe thekson se Danimarka dhe Shqipëria nuk ishin në gjendje të përcaktonin fatet e grupit I.

/portali DurresLajm/