Dy të rinj shqiptarë janë vënë në pranga të akuzuar për shpërndarje droge.

Il Messaggero shkruan se ka qenë një rastësi fatlume për karabinierët, që ndërsa po darkonin ranë në gjurmë të dy të rinjve shqiptarë, 24 dhe 19 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Ngjarja është regjistruar në një restorant të Fierences. Ndërsa po darkonin jashtë orarit të punës, disa karabinierë italianë kanë ndjerë një erë të dyshimtë, erën e hashashit.

Menjëherë kanë nisur të kontrollojnë dhe kanë konstatuar se era përhapej në lokal përmes tubave të ajrosjes.

Të njëjtët tuba komunikonin edhe me një ambient një kat më sipër, që shërbente si studio regjistrimi.

Të nesërmen karabinierët kanë nisur mbikqyrjen e vendit dhe kanë parë dy të rinjtë që u futën në apartament dhe pak më vonë dolën prej tej.

Të ndaluar disa dhjetëra metra më tutje, atyre ju gjetën në trup disa doza hashash.

Ndërkohë tre të rinj të tjerë shkuan në apartament, njëri prej të cilëve kishte çelësa me vete.

Pak më vonë, njëri prej tyre u largua me biçikletë.

Kur karabinierët ndërhynë në studion e regjistrimit gjetën dy të rinjtë shqiptarë, 1.8 kg marijuanë, 450 gram hashash dhe 500 euro që dyshohet se vinin nga shitja e drogës.