10 tetor 2015 – Kryebashkiaku i Romës, Ignazio Marino ka dhënë dorëheqjen pas një skandali se ka përdorur fondet e bashkisë për të paguar faturat në një restorant. Ai akuzohet se ka paguar rreth 20 mijë euro për të darkuar me të afërmit e tij në një restorant në kryeqytetin Italian.
Ish-kryebashkiaku tha se dorëheqja nuk duhet të merret si pranim faji, por për të ruajtur imazhin e Partisë Demokratike të kryeministrit Renzi dhe për t’i dhënë mundësi qytetit që brenda 20 ditësh të ketë një kryetar të ri.
Ignazio Marino njihet si një nga kryebashkiakët më të kritikuar në Itali. Në nëntor të vitit të kaluar ai u përball me thirrjet që kërkonin dorëheqjen e tij për taksat e papaguara të parkimit. Pas këtyre akuzave, popullariteti i tij ra ndjeshëm pas skandalit se në këtë çështje ishin të implikuar edhe disa politikanë, madje edhe paraardhësit e tij. Në vitin 2013, kur ai mori edhe detyrën si kryebashkiak i Romës, u kritikua pasi nuk ndaloi funeralin luksoz të një bosi të mafias i cili u trajtua sikur të ishte hero.
/portali DurresLajm/