Lazarat, 29 qershor 2014 – Pas dy javësh “luftë” me policinë, lazaratasit këtë fundjavë e pagëzuan me dasmën e dy studentëve të ekonomikut. Muzika e kënga e banorëve zuri vendin e krismave të armëve, që ishin kthyer në tmerr për gjithkënd.
Dy të rinjtë 22-vjeçarë nga Lazarati vendosën kurorën mbrëmjen e së shtunës në një dasmë e cila ashtu siç ishte parashikuar më parë, u mbajt në fshatin e tyre.
Briselda Çela vendosi kurorën në Lazaratin e “pasluftës” dhe për të dita e djeshme dhe e sotmja janë të shënuara për vetë simbolikën e saj. Ndonëse ajo nuk ka pranuar as të fotografohet dhe as të intervistohet, i ati i saj, Gafuri, shprehet se dasma do të jetë e madhe dhe në të janë ftuar plot 200 veta.
“Dasma është gëzimi ynë dhe i vajzës që martojmë. Kjo na lumturon”, shprehet Gafurr Çela. Dasma nisi që të enjten, sipas zakonit. Banesa mblodhi miqtë dhe të ftuarit, të cilët e gostitën vajzën sipas traditës, dikush me të holla dhe dikush tjetër me dhurata.
/gazeta "Panorama”/





