Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike.

Në një reagim në Facebook, Grubi bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.

“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, – shkroi Grubi.

Ai theksoi, gjithashtu, se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta” e kanë shtyrë të marrë një vendim të këtillë.

“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.

Ali Ahmeti tha të mërkurën në Shkup se partia e tij nuk ka për qëllim të kontestojë vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ahmeti e vlerësoi Grubin si një person të “ përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm” dhe shtoi se nuk ka nevojë për përjashtimin e tij nga partia, pasi “ai do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”.

Ndërkohë, Prokuroria Publike në Shkup bëri të ditur të mërkurën se ka nisur një hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit Grubi, njëherazi ish-shef i kabinetit të Ahmetit, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, për dyshime mbi përfshirjen e tyre në “korrupsion të lartë”.

Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).

Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion. Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi për zgjerimin e listës së zezë me persona tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë këtij viti, përveç Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane janë përfshirë edhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ndërsa, në vitit 2023, SHBA zgjeroi listën e zezë, duke futur në të kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merkon, ish – zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, biznesmenin, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre “në korrupsion të profilit të lartë”.

Po ashtu, në listën e zezë janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademiish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, dhe disa figura të tjera./REL