Një udhëzim i Departamentit të Shtetit parashikon vendosjen e rregullave të reja për aplikantët për viza nga 6 vendet myslimane, pjesë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump për t’u ndaluar hyrjen në Amerikë.
Përjashtime do të kenë vetëm aplikantët që kanë njerëz të rrethit të ngushtë familjar apo kontratë pune me një firmë amerikane.
Udhëzimet e reja pasojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për të lënë pjesërisht në fuqi vendimin e presidentit që ndalon hyrjen në Amerikë të shtetasve nga 6 vende: Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Udhëzimi i Departamentit të Shtetit për kushtet e reja për viza për këto vende nuk është bërë publik, por sipas agjencive “Associated Press” dhe “Reuters” marrëdhënie e afërt familjare përfshin prindërit, bashkëshortët, fëmijët, dhëndrin, nusen, vëllanë apo motrën që ndodhen në Shtetet e Bashkuara.
Çdo kategori tjetër lidhjesh familjare është e përjashtuar.