Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi në emër të Grupimit të Qendrës së Djathtë, deklaroi pas takimit në Presidencë se beson se Ilir Meta do të nxjerrë një dekret për datën e re të zgjedhjeve lokale dhe pritet që vendimi të merret sot.

“Presidenti ka një ide të tillë që zgjedhjet ligjërisht më 30 qershor nuk do të bëhen. Besoj se do të bëjë një dekret tjetër për zgjedhjet. Mendoj se do të merret gjatë ditës, dhe diku nga mbrëmja publiku mund të marrë vesh diçka”, u shpreh Shehi.

Sipas Shehit, pritet që me datën e re, zgjedhjet lokale të zhvillohen përpara muajit tetor, kur edhe Bashkimi Evropian do të marrë vendim për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.