Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi këtë të hënë se ka shpallur “non grata” ish-kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish-kryetarin e komunës së Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku.
Ata akuzohen për përfshirje në korrupsion. Departamenti i Shtetit thotë se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.
Të sanksionuarve dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.