· Por afro 435 pretendime të komuniteteve fetare në vend mbetën të pazgjidhura nga qeveria në vitin 2013
DURRËS, 29 korrik 20014 – “Qeveria [shqiptare] përparoi pak në shqyrtimin e pretendimeve nga grupet fetare për kthimin ose kompensimin e pronave të shtetëzuara gjatë periudhës së mëparshme komuniste dhe shumë prej këtyre pretendimeve për pronën mbetën të pazgjidhura”, thuhet në hyrje të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për lirinë e fesë për vitin 2013, ndonëse e vlerëson për aspektet e tjera.
Sipas këtij raporti ndërkombëtar “Qeveria vijoi të shqyrtonte si pretendimet ekzistuese edhe pretendime të reja nga grupe fetare në lidhje me kthimin dhe kompesimin e pronave marrë gjatë periudhës së komunizmit. Megjithatë, shumë pretendime pronash mbetën të pazgjidhura. Agjencia Shtetërore për Kthimin dhe Kompesimin e Pronës duhet me ligj t’u japë përparësi pronave në zotërim të grupeve fetare, megjithëse grupet fetare raportuan se përparimi në zgjidhjen e këtyre ka qenë i ngadaltë. Në disa raste, qeveria dha grante për tokë në vend të kthimit të pronës. Sfidat administrative dhe ligjore lidhur me pretendimet për pronësi në përgjithësi e kanë vështirësuar kthimin e pronës për individët dhe organizatat, përfshirë edhe grupet fetare”.
Nërkaq Uashingtoni përmend faktin se “gjatë vitit [2013 – “Dyrrah”-u] qeveria përfundoi kthimin e katër ndërtesave në Durrës dhe Korçë kishës ortodokse nëpërmjet procesit të rikthimit, por afro 435 pretendime mbetën të pazgjidhura”.
Por ka dhe një precedent tejet interesant: në dhjetor 1990, me fillimin e proceseve demokratike, ish-kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit të Durrës-Kavajës, z. Fatmir Minguli i ktheu komunitetit mysliman Xhaminë e Madhe, ndërtuar në vitin 1940.
Minarja e saj u shkatërrua, ndërsa mjediset e godinës u kthyen në pallat kulture në vitin 1967.
Pas rikthimit në destinacionin e saj fillestar në fillim të viteve 1900, Xhamia e Madhe është rindërtuar në vitin 2003.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





