Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, teksa ka marrë zyrtarisht detyrën nga kryeministri Rama, ka renditur tre gjëra të cilat i ka të panegociueshme në punë e tij.
“Unë ju garantoj sot këtu, në ditën e parë, që unë tre gjëra i kam të panegociueshme dhe do i zbatoj. Në radhë të parë, përkushtimin tim 24 orë, telefoni im do jetë i hapur dhe nëse do ketë një çast të vetëm që kushdo do t’i bjerë dhe unë s’do përgjigjem në çast… E kam numrin publik, e kam thënë se përkushtimi do jetë maksimal, do punojmë bashkë për ato detyra që na jep ligji, për ato reforma të rëndësishme”, tha Dashnor Sula.
Së dyti, ai përmendi integritetin e tij moral dhe trupës së institucionit, për të cilën premtoi se do ketë përmirësim të dukshëm.
“E dyta, ju garantoj për integritetin tim moral dhe të gjithë trupës së inspektorëve, nuk ju premtoj se gjithçka do jetë mrekulli, por përmirësimi do të jetë i dukshëm, duke filluar që nga rekrutimi, masat disiplinore dhe deri në masat ndëshkuese që do këtë drejtësi”, premtoi ai, ndërsa shtoi se “zero njerëz që do futen në punë përmes ryshfetit apo korrupsionit”, duke thënë se çdo inspektor do të jetë në nivelin e duhur profesional.
“Ajo dorashkë që më keni hedhur, ajo sfidë që më keni vënë përpara, do ta përmbushim bashkë me këto gra dhe burra. Do ju nderojmë dhe inspektimi do jetë model! Ju japim pa e tepruar, po flas si burrë, fjalën e nderit”, përfundoi Kryeinspektori.





