Nga Edi Lesi

Nuk mund të ngatërrohet nxitimi për 21 korrikun, me vullnet për reformën në drejtësi. Do të ishte një gabim monumental. Kur sheh atë që ngjan si vrik i Ramës për të qenë në rregull me hënën e së enjtes, e parafundit e korrikut, të kujtohet lajmi që ka dalë në media mbi sezonin e vajzave që duan të rregullojne shpejt e shpejt virgjerinë te mjeku meqë vijnë emigrantët me pushime.

Në të vërtetë të kap një gaz i papërmbajtshem tek lexon një letër të Edi Ramës drejtuar Bashës, ku predikon diçka në emër të integrimit e Europës, i njëjti autor që mbajti peng statusin e vendit kandidat pse nuk votoi 3 ligje, që i mohoi vendit 20 milionë dollarë për gjykatat administrative se nuk votoi një ligj, shi ai që punoi pa u lodhur kundër liberalizimit të vizave, me të lodhshmin e të vetmin argument; "S’du".

Ky pra, refuzues përsëritës i asaj që njihet si aspiratë europiane, me akte kundër qytetarëve të tij na shfaqet sot si dashnor i Europës, e sidomos i nemçes, që na ndriçon rrugën të tërëve. Një Edgar Morin i përdëllyer, hiç më pak.

Po nuk mund të qeshesh me të madhe sic e do rasti, se skemi të bejme me një komedian, por me nje kryeminister që drejton vendin. Ky që shfaqet së voni si atlet i paqes, që fton me përunjësi ne tryezë opoziten, një adet frekuent i ditëve te fundit, nuk harron megjithatë asnjëherë të flase si lac lagjeje para studenteve, dhe nxjerr nga goja gjithe të zezat për kundershtarin, tërë akuzat për të cilat e zuri dementia kur mori pushtetin, edhe pse është ngjitur pra në këtë skenë gjithë duke u përberuar si gjentelmen.

Po ky teatër ska me spektatorë, ka dështuar, biletat s'janë shitur.

Nuk blihet cilido sapun për djathë sado alkimi të bësh.

Faktet janë të thjeshta:

Reforma në drejtësi është në tryezën e tij dhe nuk merr formë sepse ai nuk e firmos.

Reforma në drejtësi ka ngecur vetëm në një pikë, që ndërkombëtarët të mos marrin rol kushtetues, por të jenë vëzhgues, rojtarë me çdo akses të mundshëm. Një parim per të cilin ra dakort dhe zonja Nuland.

Dashnorin e Europes e të nderkombetareve e tradhëton në këtë veneracion kallp urrejtja për drejtësinë, e ky petk i madh shumë për të, e nxjerr zbuluar në nevojen jetike për ta kapur pushtetin e tretë.

E mban veten për gjahtar metaforash po ka gjetur vetëm një lepur që ia var opozitës, sak në kohën kur në Tiranë qarkullon në vitin e tretë lepuri më i madh i dy dekadave me shtatin e Beqës së qindra milionë euro koncesione, brejtës si Ahmetaj me një dorë në çdo pasuri e aset publik, tinzar si Tahiri i brendshëm, aferat e të cilit me krimin nuk i numëron dot, një lepur me përmasa gati mitologjike ku çdo ministër, drejtor, e Ardian OSHEE-je, gjen një tipar të vetin, lepur që dridhet në barkun më të madh të korrupsionit, mes veshkave të dhjamura me lekët e rilindjes.

Drejtësia e pakapur që lufton korrupsionin, është në tryezën e kryeministrit, e firmosur nga Partia Demokratike bazuar kryekreje në rekomandimin e Venecias, pranuar nga të gjithë që në fillesë si guida e vetme në këtë rrugë. Tani kuptohet që kjo reformë ka nevojë dhe për një firmë tjetër, që mënon e mënon të vihet. Pse? Kërkojeni përgjigjen në dosjet e tenderave, koncesioneve e evazionit të pashembullt. /Syri.net