Ndërsa sot numri i divorceve sa vjen e rritet, ka ende shembuj që mund të frymëzojnë. I tillë është rasti i bashkëshortëve nga Durrësi, Shaban dhe Sulltane Gugashi, 97 dhe 87 vjeçe, me plot 71 vite martesë mbi supe dhe në zemrat e tyre, e ndoshta çifti me jetëgjatësinë më të madhe martesore në vend.

Shabani, i lindur më 1919-n në Shkup dhe rritur në Durrës, zonja Sulltane, lindur e rritur në Durrës, bijë e familjes Çyrbja. Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme sot, ata janë martuar me një fjalë prindërish, fjalën e babait të zotit Shaban dhe fjalën e xhaxhait të zonjës Sulltane. Ajo 16 vjeçe e gjysmë, ai 27 vjeç. Por edhe pas gjashtë muajsh, edhe pse i celebruar, ai do të priste ditën e martesës për t’u takuar me gruan e tij, që do ta shoqëronte për 71 vjet. Ata punuan të dy në fabrikën e makaronave, fabrikën shtetërore të cilën e themeloi bashkë me punëtorë të tjerë zoti Shaban, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Bashkëshortët Gugashi do të rrisnin 4 fëmijë, Lirien, Qamilen, Luljetën dhe Ramadanin, djalin e vetëm që ka ruajtur traditën duke u kujdesur për prindërit, të cilët jetojnë me të. Çifti Gugashi ka 10 nipër dhe 14 stërnipër.

Në ditën e Shën Valentinit, me propozim të shoqatës “Durrësi”, bashkia e qytetit të Durrësit i nderon me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, për shembullin që i japin komunitetit me dashurinë e tyre jetëgjatë. Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, të shtunën në orën 17:00, organizohet një koncert i madh festiv me këngë e humor durrsak e të ftuar nga qyteti i humorit, Shkodra, ku do t’u akordohet edhe titulli i nderit. Ashtu si dhjetëra çifte në mbarë botën, ndoshta edhe Shabani dhe Sulltana do të ishin pjesë e Guinnes, për të lënë edhe ata në histori gjurmën e tyre të një martese të shenjtë, të dashurisë dhe durimit “derisa vdekja të na ndajë”, një shembull frymëzimi për një shoqëri të tërë./GSH