Çifti durrsak Shaban dhe Sulltane Gugashi, të cilët do të mbahen mend si çifti bashkëshortor me jetëgjatësinë më të madhe martesore në vend, u nderuan sot nga bashkia e Durrësit, me propozim të shoqatës “Durrësi”, me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
Ky titull për çiftin Gugashi u dha për shembullin që i japin komunitetit me dashurinë e tyre jetëgjatë. Takimi u zhvillua në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pasditen e kësaj të shtune, ku u organizua dhe një koncert i madh festiv me këngë e humor durrsak e të ftuar nga qyteti i humorit, Shkodra.
Shabani 97 vjeç dhe Sulltana 87 vjeçe, mbajnë mbi supe plot 71 vite martesë. Ata janë prindër të 4 fëmijëve, Liries, Qamiles, Luljetës dhe Ramadanit, djalin e vetëm që ka ruajtur traditën duke u kujdesur për prindërit, të cilët jetojnë me të. Kanë 10 nipër dhe 14 stërnipër.
Të dy këta persona, që janë një shembull i dashurisë së vërtetë, kanë punuar në fabrikën e makaronave, fabrikën shtetërore të cilën e themeloi vetë Shabani bashkë me punëtorë të tjerë.