26 nëntor 2015 “Dashuri me çdo kusht” është shfaqja më e re që çel sezonin artistik të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Një komedi romantike e frymëzuar nga skenari për film i autores Adrienne Shelly, përshtatur dhe vënë në skenë nga regjisorja Andia Xhunga, vjen për publikun e gjerë këtë fundjavë, ndërsa regjisorja ka zhvilluar edhe provat gjenerale me aktorët.
Idetë e regjisores Xhunga sjellin realitetin e një çifti duke e bërë publikun të ndjejë sikur ka hyrë në shtëpinë e tij, dhe ndjek hap pas hapi të vërtetat e pathëna dhe ato të cilat ne i fshehim çdo ditë brenda mureve të shtëpisë. Çdo ditë në jetët tona, në biseda të përditshme hasim histori çiftesh në krizë, të divorcuar apo në dilema divorci, tradhti që vijnë si pasojë e rrethanave e ndjesive të ndryshme, dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë familjen, dashurinë, dhe marrëdhënien në çift. Ky realitet vjen nga loja aktoriale e aktorëve Ervin Doko Adelina Muca, Arjola Basho e Enkel Gurakuqi, me skenografinë e Genc Shkodranit.
Premiera shfaqet të premten, të shtunën e të dielën, me rastin e festës së Pavarësisë e të Çlirimit në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
/K.H. portali DurresLajm/