Serxho Ramos më 15 qershor do të martohet me Pilar Rubion, por ka vendosur rregulla të hekurta për të ruajtur privatësinë e dasmës. Burrat duhet të jenë të veshur të gjithë me kostum, ndërsa gratë duhet të bëjnë kujdes me ngjyrat e fustaneve dhe ato të mos jenë shumë të ekzagjeruara.
Kujtojmë se Ramos bashkëjeton me Rubion prej 6 vitesh dhe kanë tre fëmijë së bashku, por akoma nuk janë martuar. Martesa do të bëhet në Katedralen e Sevijës, qytet ku Ramos ka hedhur hapat e parë të karrierës së tij si futbollist.
Sipas asaj që raporton “AS”, çifti ka shpërndarë ftesa për 400 të ftuar, por të gjithë duhet t’u nënshtrohen rregullave strikte që ka caktuar çifti spanjoll. Gjithçka nis me veshjet: burrat janë të detyruar të vishen me kostume, ndërsa gratë e kanë të ndaluar të shkojnë me fustane ngjyrë të bardhë, të zezë, jeshile, portokalli, të kuqe ose rozë.
Të gjithë të ftuarit do të jenë të detyruar që t’i lënë çantat dhe celularët në shtëpi, ose t’i dorëzojnë ato në një dhomë të posaçme në hyrje të kishës. Aty do të jetë dikush që do t’i njoftojë në rast të ndonjë emergjence. Nuk do të lejohen fëmijë, madje asnjë i ftuar nën moshën 18 vjeç, përveç tre fëmijëve të çiftit.
Gjatë festës që do të organizohet për nder të çiftit të ri do të performojë edhe grupi i njohur i rokut, AC/DC, që është paguar nga kapiteni i realit 1 milion euro për vetëm pak orë shfaqje. Në fund, çifti ka refuzuar që dikush t’u çojë dhuratë, duke i ftuar të gjithë ata që kanë pasur dëshirë ta bëjnë këtë, që më parë që kishin menduar të shpenzonin për dhuratën, t’i dorëzojnë për bamirësi tek UNICEF.





