NGA EDISON YPI

Kisha ndalur për të pirë një kafe në një katund të Mallakastrës kur një banor i atij katundi me të cilin u ndodha rastësisht në të njëjtën tavolinë më tregoi mes tjerash historinë e një dasme të çuditshme të një çupe të atij katundi me një djalë të katundit fqinjë.

Aq e pabesueshme mu duk historia e asaj dasme sa duke e dëgjuar, bashkë me habinë, mu zgjua përbrenda edhe një gjarpër dyshimi nëse vërtet kishte ndodhur ajo çka mallakastrioti më rrëfeu.

Ja kërkova mallakastriotit celularin e protagonistit të dasmës së pabesueshme, djalit të katundit fqinj. Nuk bëri naze, ma dha aq pa teklif sikur e pyeta sa është ora, çka ma ndezi edhe më tepër kuriozitetin.

Sapo dola nga kafeneja telefonova protagonistin e çudisë matrimoniale, dhëndrin e katundit tjetër. I kërkova një bisedë. Pa asnjë arsyetim, thjesht një bisedë. Pranoi. E lamë të takoheshim pas dy ditësh.

U takuam në verandën e shtëpisë së tij.

Sapo nisa të flas më ndërpreu.

-Mos fol, tha, e kam të qartë çfarë do më thuash.

-Nuk mund ta dish. Ende s’kam filluar.

-E di-e di. Ke ardhur të më pyesësh për dasmën time. S’ke për çfarë tjetër të më pyesësh. Në këto anë prej shumë vitesh nuk ka ndodhur asgjë më interesante se dasma ime. Do flas unë së pari, pastaj ti. Unë do bëj qartësimet e mia, ti do kënaqësh kuriozitetet e tua.

-Fillo…

-Nuk jam njeri dosido, lexoj, mendoj, udhëtoj. Ka ca vite më kanë kapur disa frikëra, më shkojnë nëpër trup disa të rrëqethura;

Në çdo shtëpi qahen të njëjtat halle.

Në të gjitha dyqanet shiten të njëjtat mallra.

Kafenetë, restorantet, lokalet, janë të gjitha të njëllojta. Brenda tyre hahen e pihen të njëjtat gjëra dhe bëhen të njëjtat muhabete.

Shtëpitë e reja bëhen pothuaj identike.

Televizionet, gazetat, gazetarët, mediet, nuk kanë asnjë ndryshim thelbësor nga njëri-tjetri.

Politikanët duket sikur i ka teshtitur e njëjta nënë nga hunda.

Mafiozët sikur i ka dhjerë i njëjti baba nga bytha.

Hajdutët sikur i ka flakur nga ballkoni i njëjti bos.

Italia po bëhet si Greqia, Shqipëria si Italia, Kina si Amerika, prite kur të bëhet Anglia si India.

Komunikimi selektiv sipas shijes së secilit bashkëbisedues, pra ai i vjetri, ai i mirëfilli, për shkak të numrit të pafundmë të njerëzve me të cilët interneti ta bën të mundëson të komunikosh, është i pazbatueshëm, kapërcen mundësitë fizike dhe cerebrale njerëzore. Pas pak vitesh të gjithë njerëzit e planetit, që flasin njëlloj, shkruajnë njëlloj, shohin të njëjtat telenovela, veprojnë e reagojnë ndaj gjithçkaje në të njëjtën mënyrë, do gjejnë belanë. Do prekin një qendër të frikshme, një mes të llahtarshëm që refuzon dallime, nuk pranon diferenca, çka rrezikon që pas pak planetin ta pllakosi heshtja, dhe pas heshtjes ta përpijë vdekja. Jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën gjithçka po shkon drejt këtij mesi të frikshëm që pak e nga pak po i heq botës bukurinë, po ja than shijen jetës.

Kaq si hyrje. Tani ta lidh me atë që të intereson zotrote, me dasmën time. Vendosa të martohem. Djemtë dhe vajzat nuk mund t’i shpëtojnë mesit rrafshues për të cilin të fola më lart. Ata dhe ato po katandisen aq të sheshtë dhe aq të njëllojtë sa dhe gjithçka tjetër. Nisur nga ky konstatim, i rashë shkurt, nuk u mendova aspak, gjeta një vajzë në fshatin tjetër me tahmin, pa pyetur si e qysh e tek. E gjeta shoqen e jetës si e gjejnë disa parellinj vendin ku do kalojnë pushimet duke vënë gishtin mbi hartë me sy mbyllur. Fola me vajzën dhe me babanë e saj. Bëmë përgatitjet. Erdhi dita e dasmës. U nisën krushqit për të marrë nusen. Kur arritën u shtangën, u tmerruan. Gjysmë ore para mbërritjes së tyre, nusen e kishte përpirë dheu, nusja ishte zhdukur. Bam e bum për të gjetur arsyen, u mor vesh se nusen e kishte rrëmbyer dikush me të cilin prej kohësh kishte qenë e dashuruar. Kur ma thanë u tmerrova dhe unë. Zhgënjim i përbindshëm. Dasma ime paskësh qenë një ëndërr. “Shoqja e jetës” një tradhtare. Nisa të gjej me mend arsyen pse dasma ime iku e vate. Ku s’ më vajti mendja. Ndoshta e kisha tepruar me teoritë dhe praktikat e mesit rrafshues që më morën në qafë dhe e asgjësuan dasmën time. Ndoshta duhej të kisha bërë më tepër kujdes për të fejuarën, duhet ta kisha mbajtur më afër, ta kisha sajdisur, ta kisha puthur, përkëdhelur etj. Por nuk ishte rasti për teorira. Momenti kërkonte zgjidhje të shpejtë. Pasi erdha në vete i thashë babait të së rrëmbyerës që shkatërroi dasmën time dhe ndoshta jetën time;

-Ç’më bëre kështu ? Ku të mbytem unë tani ?

-Mos u ngut, tha babai i tradhtares. Kam dy çupa të tjera. Që unë të mos luaj mendsh dhe dasma jote të mos prishet, merre për grua njërën prej tyre. Hajt u trashëgofsh.

Mora kokën mes grushteve. Thashë me vete; Lere ç’thotë ky shejtanbudalla, ky vjehërr monstër. Duhet parë më e rëndësishmja, dasma ime, si ta shpëtoj dasmën time pas së cilës vjen jeta ime. Kjo botë po shkon drejt atij mesit ku nuk ekziston as dashuria as urrejtja por vetëm mpirja, vetëm domosdoshmëria shtazarake për të shkarkuar hera-herës sekrecionet e tepërta të gjëndrave endokrine të qefit. Po ta prish këtë dasmë, jo vetëm do më ikin dëm përgatitjet, por do më duhet të lodhem të gjej një tjetër. Në fund të fundit e para, tradhtarja, s’mund të kenë asnjë përparësi fatale nga e dyta që po ma sugjeron vjehrri. Tradhtarja që u rrëmbye nuk e kishte me pesë dhe tjetra që s’u rrëmbye tani por mund të rrëmbehet pak më vonë e ka me tre vrima. Edhe njëra edhe tjetra, si të gjitha, nga një vrimë kanë. Mirë, i thashë barbarit, dinakut mbijetues, babait të të dyjave. Vish nuse cilën të duash nga dy çupat që të kanë mbetur. Dasma ime të vazhdojë njëlloj sikur kjo që do marr të ishte e pabesa që na la shëndenë dhe dasmën time për qime desh e prishi. Ashtu u bë. Dasma ime vazhdoi. Mora për grua njërën nga dy çupat e vjehrrit. Këtë lugaten që do ta shohësh me sytë e tu kur pas pak do na sjelli mua e ty nga një gotë dhallë ta pimë e të kënaqemi pas gjithë këtij muhabeti. Këtë zgjidhje i dhashë problemit. S’kisha nga t’ia mbaja sa kohë bota po bëhet me shpejtësi një mes i sheshtë si tru vjehrri. Kështu mbaroi dasma ime. Kujdes me dasmën tënde.

-Nuk e kam ndërmend të martohem.

-Pse ?

-Sepse para dasmës tënde katastrofike, ku ma gjen dasmën time inekzistente.

Marrë nga e përditshmja MAPO, 8 gusht 2015