Një sallë e tejmbushur, të qeshura me lot dhe duartrokitje të stuhishme.
Kështu e priti publiku durrsak “dasmën më të suksesshme të vitit”.
“I zoti i dasmës”, regjisori Kiço Londo vuri në skenën e teatrit “Një dasmë e hatashme”.
“Është një komedi për frikën nga martesa, nga zgjedhja. Për frikën për familjen, për të ardhmen, të përziera me mjeshtëri nga autori dhe që fsheh në vetvete dëshirën për një jetë me njeriun e duhur”, na tregon ai.
Por loja në skenë nuk ishte e vetmja.
“Një lojë me rrezik”, një sfidë, ishte për regjisorin vetë vënia në skenë e komedisë britanike.
“Komeditë janë pak më të vështira sesa dramat, sepse duhet të komunikosh vazhdimisht me publikun. Publiku ka shfaqjen e vet, do shfaqjen e vet, çlirimin e vet”, thotë regjisori, ndërsa aktorja Marjana Kondi thotë se “Durrësi ka qenë një qytet që nuk ta jepte duartrokitjen kollaj. Duartrokitjet ishin shumë të pakta, ishte një popull shumë i zgjuar, madje nuk të vinin edhe në shfaqje, duhej të ishte një shfaqje e mirë që të vinin.”
Ashtu si gjithmonë, edhe këtë herë durrsakët treguan se e duan artin.
“Më të larta sesa i kishim herën e kaluar dhe ashtu janë, kemi një interesim të paparë. Nuk e di, na do publiku i Durrësit”, tha aktori Engjëll Hoxha.
Pas Durrësit, gjatë javës, “Një dasmë e hatashme” do të udhëtojë në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, për të shkuar më tej në Elbasan.





