Në Maqedoninë e Veriut, dasmat do të organizohen në ambiente të hapura me maksimumi 100 mysafirë dhe vetëm nusja e dhëndri do të luajnë valsin e parë, ndërsa mysafirët nuk do të mund të kërcejnë valle.
Me këto protokolle dhe rekomandime nuk janë të kënaqur pronarët e salloneve të dasmave. Lulzim Hasani shprehet se është absurde të ketë muzikë e mysafirët të mos mund të kërcejnë.
“Është një vendim diskriminues përshkak se nuk i përfshin të gjitha objektet tona që merren me këtë veprimtari. Këtu lehtësimi është bërë vetëm për objektet që kanë veranda dmth që janë objekte të hapura ndërsa këtu në rajonin tonë në Tetovë ka vetëm 1 apo 2 objekte që kanë veranda, kurse në objektet tjera jemi sërish të mbyllur. Dasëm pa muzikë nuk e di a është bërë ndonjëherë dhe ai i ngjan kjo ahengut familijar? Normalisht ne presim ndonjë vendim i cili do të jetë i përshtatshëm për neve si biznes edhe për Komisionin për sëmundje infektive”, tha Hasani, pronar restoranti.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se muzika është e lejuar në ambiente të hapura, ndërkaq për ambientet e mbyllura, siç tha, në dy javët e ardhshme do të përgatiten protokolle të tjera.





