Një moment emocionues nga lufta në Ukrainë, me ish-kampionin botëror të boksit në peshën e rëndë, Vitali Klitschko, që ka qenë në martesën e një çifti në vijën e parë në Kiev, është bërë viral në rrjetet sociale.Klitschko, i cili tani është kryebashkiak i kryeqytetit të Ukrainës, ishte prezent në momentin kur dy qytetarë, që luftojnë për mbrojtjen e vendit të tyre, Valeri dhe Lesya, të lidhnin martesën.Lesya e ndërroi përkrenaren e saj me një vello ndërsa dyshja thanë betimet e tyre para shokëve të ushtrisë në një pikë kontrolli në qytet.
Pas përfundimit të ceremonisë, Klitschko e puthi nusen në faqe për fat të mirë, ndërsa i ofroi një buqetë me lule.Më vonë ai postoi një video të dasmës në llogarinë e tij në Twitter, krahas mbishkrimit: “Sot përshëndeta ushtarët e një prej batalioneve të mbrojtjes së kryeqytetit, Lesya dhe Valeri. Ata kanë kohë që jetojnë bashkë dhe tani kanë vendosur të martohen. Ceremonia u zhvillua pranë një prej postblloqeve. Jeta Vazhdon! Dhe ne do të mbrojmë jetën e Kievit, Kievit, shtetit tonë!”Vitali dhe vëllai i tij, ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Wladimir Klitschko, janë zotuar të mbrojnë Ukrainën pasi vendi i tyre u pushtua nga Rusia në fillim të këtij muaji.





