9 shtator 2015 – Pavarësisht humbjes dramatike me Portugalinë, Gianni De Biasi beson se Shqipëria ka ende shanse të kualifikohet në Euro 2016. Nga Italia ku tashmë do të jetë edhe në rolin e opinionistit te RAI në programin “Novantessimo Minuto”, drejtuesi i stolit kuqezi përcakton objektivat për dy sfidat e fundit në Grupin I.

“Portugalia na krijoi vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona të shënonim. Ata janë një prej skuadrave të para në renditjen e FIFA-s dhe jam i kënaqur nga skuadra. Futbolli është sporti më i bukur, por gjithashtu mund të jetë i vrazhdë. Për ne ishte i bukur deri në minutën e 90-të. Gjithsesi duhet të mësojmë nga këto gabime. Kualifikimi në Kampionatin Europian është ende i mundur. Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur, duhet t’i fitojmë të dyja”.

Gjatë prezantimit në programin sportiv për Serinë A, ku do të jetë përkrah emrave të njohur të futbollit italian si Cesare Prandelli dhe Alberto Malesani, trajneri i Shqipërisë analizoi sfidat e radhës me Serbinë dhe Armeninë.

“Luajmë përballë dy ekipeve që janë jashtë garës. Por, me serbët ekzistojnë këto problemet mes dy tifozerive dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Shpresojmë t’i mbyllim sa më mirë kualifikueset, pasi jemi paraqitur shkëlqyeshëm edhe krahasuar me Danimarkën, që është rivali ynë direkt”.

/portali DurresLajm/