6 tetor 2014 – Nëse Danimarkën e shikojmë një shkallë më poshtë sesa Portugalia dhe teorikisht kemi më shumë shanse për të fituar, nuk e mendon kështu trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Tekniku ka kërkuar një përqendrim maksimal te ky kundërshtar, i cili rezulton të bëjë ndeshje shumë më të mira në transfertë përkundrejt atyre në fushën e vet: “Të shtunën e ardhshme do të luajmë në Elbasan në një stadium të rinovuar ndaj një skuadre shumë të vështirë nga të gjitha pikëpamjet sikundër është Danimarka. Duhet ta fiksojmë mirë në kokën tonë se kemi të bëjmë me një ekip të ri në moshë, me lojtarë të fortë fizikisht, që luajnë në skuadra të mëdha në Europë. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se Danimarka ka një grup që luan prej kohësh bashkë dhe tashmë janë konsoliduar në të gjitha drejtimet. Nëse vëreni me kujdes, Danimarka është një skuadër transfertash, pasi edhe edicionin e shkuar ka bërë shumë më mirë jashtë sesa në fushën e saj. Ka fituar tri ndeshje në transfertë dhe vetëm një në shtëpi, një gjë që duhet marrë në konsideratë. Mendoj se ndeshja e parë e fituar ndaj Portugalisë mund të na çojë jashtë rrugës, pra jashtë objektivave, në rast se mbetemi ende me mendjen tek ajo ndeshje. Unë gjykoj se ne si skuadër duhet ta marrim si eksperiencë të shtrenjtë atë fitore, pasi bëmë shumë gjëra jo shumë mirë, nga të cilat do duhet që të mësojmë. Sikundër ua pata thënë në fillim të atij takimi dhe po ua ripërsëris edhe tani, çfarëdolloj rezultati që ne të merrnim ndaj Portugalisë, barazim, humbje apo fitore, asgjë nuk do të ndryshonte në objektivat realë të skuadrës sonë për këtë edicion kualifikimesh. Kemi përpara 7 ndeshje të tjera në një grup shumë të vështirë, në të cilin do duhet që më e pakta të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke përballuar me grintë dhe zemër të gjitha problematikat që do të hasim në këto përballje. Unë e kam thënë edhe më përpara se nuk kënaqem asnjëherë me një barazim. Madje, shumë nga ju ma morët edhe si një mendjemadhësi, por nuk është ashtu. Unë e përgatis skuadrën dhe futem në fushë për maksimumin, por nëse qëllon që ti djersin shumë dhe në fund merr edhe një barazim me fat, atëherë ajo pikë mendoj se duhet konsideruar. Megjithatë e thashë, unë nuk hyj kurrë me idenë e një barazimi, përtej asaj që ndodh më pas.
Ndaj Danimarkës fitohet me shumë përqendrim dhe kujdes në mbrojtje pikë së pari, pasi ata kanë lojtarë shumë të mirë fizikisht, të gjatë dhe tejet aktivë në lojën në ajër dhe goditjet e dënimit në zonë. Pastaj kanë një futbollist si Eriksen, i cili ka një gjuajtje shkatërruese. Gjuan fort edhe pa marrë fare vrull dhe nga çdo pozicion i mundshëm. Duke ditur të gjitha këto, do mundohemi të gabojmë sa më pak ndaj këtij kundërshtari, e përsëris shumë i vështirë për t’u kaluar.