Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes së nesërme me Francën, trajneri i Kombëtares shqiptare Giani De Biasi, ka deklaruar se Franca nuk pritet të jetë ajo e 2 ndeshjeve miqësore të zhvilluara gjatë eliminatoreve të Euro 2016, ku kuqezinjtë arritën një herë të fitonin e një herë barazonin ndaj Gjelave.

“Ne i dimë cilësitë e tyre. Nuk pres që Franca të jetë ajo e dy miqësoreve. Përveç sulmuesve, atyre nuk i mungon as mbrojtja, por ne do përpiqemi të krijojmë shanset tona. Do përpiqemi të limitojmë disa nga veprimet e tyre më të mira. Lojtarët individualistë që Franca posedon janë shumë të mirë, por do mundohemi t’i ndalim”, u shpreh De Biasi.

Trajneri Italian theksoi se lojtarët e tij do mundohen të mësojnë nga gabimet e mëparshme në mënyrë që të mos i përsërisin më.

Ndeshja Francë-Shqipëri luhet me datë 15 qershor në orën 21.00 në stadiumin “Velodrome” të Marsejës.