Vetëm pak ditë përpara startit të kualifikueseve të Botërorit 2018, Shqipëria merr garanci nga sulmi. Sinjale të rëndësishme për trajnerin Gianni De Biasi, përpara ndeshjes së 5 Shtatorit me Maqedoninë nga i gjithë reparti ofensiv. Duke nisur nga Armando Sadiku, që nga alternativë e dytë për sulmin, tashmë shihet si titullar i padiskutueshëm. Golashënuesi historik i Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian është shfaqur në formë të jashtëzakonshme. Përpara grumbullimit në përfaqësuese, sulmuesi i Zurich realizoi golin e katërt sezonal në Challenge League zvicerane, në gjashtë ndeshje të luajtura. Një mesatare e frikshme.
Në Amerikën e largët, Shkëlzen Gashi është kthyer në një element të pazëvendësueshëm të Colorado Rapids. Sulmuesi 28-vjeçar, që së fundmi shënoi përballë Real Salt Lake, është ngjitur në kuotën e 5 golave sezonalë në Major League Soçer. Për më tepër, eksperienca e tij në Shtetet e Bashkuara mund të shfrytëzohet edhe në Kombëtare, pasi nga një sulmues krahu, Gashi po aktivizohet me sukses në rolin e fantazistit. Në Rusi vazhdimësinë e ka gjetur edhe Bekim Balaj. Sulmuesi 25-vjeçar është titullar në radhët e Terek Groznit, duke shënuar 2 gola në katër ndeshje të Premierligës. Rrjeta më e fundit ishte ajo në fitoren 2-1 përballë Rostov, surprizës europiane të këtij edicioni. E ndërsa Sokol Cikalleshi vazhdon të luftojë për një vend titullari te Instambul Basaksehir në Turqi, e njëjta gjë ndodh edhe me Rey Manaj te Pescara. Sulmuesi në pronësi të Interit dha një mesazh të qartë se pretendon një vend protagonisti në Kombëtare, me golin e parë të shënuar në Serinë A gjatë fundjavës që kaloi, në humbjen 2-1 të Pescara-s përballë Sassuolos. De Biasi tani ka vetëm problemin e zgjedhjeve, pasi të gjithë sulmuesit garantojnë golat që i nevojiten kaq shumë Shqipërisë në ndjekjen e ëndrrës drejt Kupës së Botës.





