Europiani po afron, për gjithë shqiptarët është më interesanti i gjithë historisë pasi për herë të parë në një kompeticion të tillë madhor debuton Kombëtarja jonë dhe një temë që ngjall kërshëri muaj para nisjes është ajo se cilët do të jenë të përzgjedhurit e De Biasit për misionin historik të kuqezinjve.

Trajneri disa herë ka lënë të kuptohet se ai është i prirur t’i besojë para së gjithash grupit që arriti këtë kualifikim të jashtëzakonshëm në fushatën eiminatore, por gjithsesi kandidatët për t’u shtuar në listë nuk mungojnë. Përfliten më së shumti dy, Milot Rashica që po shkëlqen me Vitessen dhe Rey Manaj, sulmuesi i Interit që debutoi me gol në Kombëtare në Vëllazëroren me Kosovën. Gjithsesi në një intervistë të dhënë për faqen italiane “Tuttomercatoweb”, De Biasi duke folur për superndeshjen mes Juventusit dhe Inter, dha një deklaratë mjaft interesante në këtë aspekt edhe për Manajn.

“Për fat të keq te Interi ka pak mundësi, përvecse kur luan me të rinjtë ku shfaq cilësitë e tij. Për fat të keq me skuadrën e parë është inaktiv prej shumë kohësh dhe kjo nuk i bën mirë. Një djalosh si ai, nëse do të kishte shkuar në huazim në një tjetër skuadër, do të kishte mundësinë për të luajtur. Stërvitja me lojtarët e skuadrës së parë të Interit mund ta ndihmojë, por nuk është kjo ajo që i duhet dikujt si Manaj”.

De Biasi edhe më parë është shprehur se aktivizimi është një ndër faktorët kryesorë për secilin nga kandidatët për një ftesë për në Francë dhe këtë herë nuk e fsheh se do të kishte preferuar huazimin e Manajt në mënyrë që të luante më shumë para europianit.

Një temë që i përket një të ardhmeje më afatgjatë është dhe ajo e vazhdimësisë së tij në stolin kuqezi pas Europianit. Në intervistën në fjalë De Biasit i kujtojnë se me largimin eventual të Antonio Contes drejt Chelseat për sezonin e ardhshëm do të ishte vakant dhe posti i trajnerit të Italisë, një pyetje së cilës De Biasi i përgjigjet: “Ka shumë kandidatë dhe nuk mendoj se unë jam mes tyre. Kam një kontratë deri në vitin 2017 me Kombëtaren Shqiptare, por më thoni nëse ka ndonjë trajner italian që nuk do të dëshironte të drejtonte Italinë?”.