Pavarësisht pse i premtoi besnikëri Shqipërisë, edhe për edicionin e kualifikueseve të Botërorit 2018, klube të ndryshme të futbollit europian dhe jo vetëm provojnë të joshin Gianni De Biasin. I tillë është rasti i Spartakut të Moskës, që e ka përfshirë trajnerin e Kombëtares kuqezi në listën e kandidatëve të mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës.
Rusët janë vënë në kërkim të një drejtuesi të ri për stolin, pas dorëheqjes së Dmitri Alenichev, si rezultat i eliminimit të skuadrës nga Moska nga Europa League përballë qipriotëve të AEK Larnaca. Për momentin, Spartaku i është besuar përkohësisht një tjetër italiani, Massimo Carrera, ish-koordinatorit teknik të Juventusit dhe Italisë. Do të jetë pikërisht ai njeriu që do të drejtojë skuadrën deri në momentin kur klubi të emërojë trajnerin e ri.Por, megjithë interesin nga 9 herë kampionët e Rusisë, Gianni De Biasi duket tërësisht i përqendruar te edicioni i ri i Shqipërisë, me grumbullimin që do të nisë në fundin e këtij muaji, ku pas miqësores së 31 Gushtit ndaj Marokut, kuqezinjtë do të nisin eliminatorët e Botërorit “Rusi 2018”, me ndeshjen e parë të Grupit G, që do të luhet më 5 Shtator ndaj Maqedonisë në stadiumin e rikonstruktuar të Shkodrës.





