9nentor 2015 – Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi, gjatë një konferencë për mediat mbajtur sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka dhënë disa detaje në lidhje me dy ndeshjet e radhës miqësore. De Biasi ka konfirmuar se për këto dy ndeshje do të marrin pjesë dhe do të angazhohen 25 lojtarë. Ai gjithashtu ka pohuar se si ekip janë gati për këto ndeshje dhe do të punojnë fort që për të qenë gati për Europianin “Francë 2016” .
“Do të jenë dy miqësore, që ne do të luajmë në këto data të lira të FIFA-s. E para shumë e veçantë, do të jetë ndeshja kundër Kosovës, që ka brenda emocione, festë, vëllazëri. E dyta, kundër Gjeorgjisë e cila do të na shërbejë për të parë nga afër gjendjen e grupit”-theksoi ndër të tjera trajneri i ekipit shqiptar në futboll. Numri një i stolit kuqezi është treguar i hapur duke shpjeguar çështjen “Avdijaj”, si dhe marrëdhëniet me trajnerin e Kosovës, Bunjaki. “Nuk jetoj me trajnerin e Kosovës, por jemi takuar një herë dhe kemi biseduar. Midis dy Federatave ekziston një marrëveshje, sipas të cilës ata futbollistë që janë të Kombëtares Shqiptare do të luajnë aty. Tifozët e kanë bojkotuar si ndeshje, por një miqësore mund të bëhet edhe brenda grupit. Po të dëshirojnë le të vijnë, kjo është thjesht një miqësore dhe jo një ndeshje gjeopolitike. Përsa i përket çështjes “Avdijaj” nuk mund të merrni për bazë shtypin e huaj, duhet të më pyesni mua. Cdo futbollist e ka derën e hapur dhe në Mars do të vijë në skuadër cili do të jetë në formë. Janë 32 futbollistë që na sollën deri këtu, kështu që nga ky numër do të dalë edhe ekipi për në Francë”.
Duke thënë këtë, De Biasi tregon dhe filozofinë e tij për preferencat që ka në grumbullimin e futbollistë, duke kaluar edhe në emra të përveçëm. “Në futboll luan ai që është më i mirë, kush lufton dhe kush bën pjesë në grup, ai që buzëqesh edhe kur shkon në tribunë. Luan ai që është i lumtur kur vjen në Kombëtare. Në Francë shkuam jo se jemi ekipi më i mirë, por kishim frymën e grupit. Salihin nuk e kam thërritur, por deri në Mars do të shohim. Lilaj ka kualitet dhe sa herë e grumbullojmë jep 110% dhe për më tepër përshtatet shumë shpejt. Besart Berishën nuk e kam në plane, nuk ka ardhur më parë dhe nuk do të vijë më”. Kujtojmë se ndeshja miqësore Kosovë-Shqipëri do të zhvillohet më 13 nëntor në Prishtinë, në orën 14:00. Gjatë nëntorit Shqipëria do të zhvilloje edhe një miqësore tjetër ndaj Gjeorgjisë, konkretisht më 16 nëntor në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, në orën 20:00. Ja dhe lista e plotë e futbollistëve të grumbulluar nga Gianni De Biasi: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Orgest Shehi, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Lorik Cana, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Frederik Veseli, Amir Rrahmani, Andi Lila, Amir Abrashi, Migjen Basha, Sabien Lilaj, Ledian Memushaj, Taulant Xhaka, Herolind Shala, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Shkelzen Gashi, Odise Roshi, Armando Sadiku, Ermir Lenjani, Rey Manaj.
/portali DurresLajm/