Gianni De Biasi mendon se nuk mund ta quash dikë ‘tradhtar’ vetëm për shkak se vendos të luajë për një shtet krejtësisht tjetër. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka thënë se çdo kush është i lirë që të zgjedh se për kë dëshiron të luajë, por sipas tij kjo nuk do të thotë se ata janë tradhëtar.

Shqipëria do të përballet në Evropian me Zvicrën e Shaqirit, Xhemajlit, Xhakës, Behramit, Mehmedit e Kasamit.

“Për shumë shqiptarë, kjo ndeshje është e veçantë, pasi në kampin tjetër luajnë shumë futbollistë që konsiderohen si ‘tradhtarë’, pasi vendosën të luajnë për një vend tjetër pavarësisht origjinës shqiptare. Unë gjithmonë kam theksuar se çdokush duhet të jetë i lirë të zgjedhë vendin që mendon se është më i mirë për të. Ai vend i ka pritur dhe i ka dhënë punë prindërve të tyre, kanë kaluar fëmijërinë aty dhe janë integruar, ndaj ndihen zviceranë ndonjëherë, edhe pse në zemër ata do të mbeten gjithmonë shqiptarë”, ka thënë De Biasi.