4 shtator 2015 – Misioni Danimarkë ka nisur nga salla e konferencave për trajnerin Gianni de Biasi dhe kapitenin Lorik Cana, që përpara mediave daneze kanë folur për sfidën e kësaj të Premte duke mos fshehur besimin te forca e tyre por duke pranuar dhe vështirësitë e 90 minutave që do të luhen në “Parken Stadion”.
Numri 1 i stolit të Shqipërisë cilësoi Danimarkën si favorite për fitimin e ndeshjes, por shtoi se skuadra e tij luan me zemër dhe do të provojë të bëjë rezultat në këtë sfidë.
“Danimarka është skuadër me lojtarë me shumë përvojë dhe shumë e fortë. Ajo që të bën përshtypje është fakti që luajnë si një grup i vetëm dhe ka një trajner me shumë përvojë që punon prej vitesh dhe në mënyrë të shkëlqyer. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por loja fillon 0-0. Skuadra jonë ka djem të rinj që luajnë me zemër dhe vitet e fundit kanë fituar eksperiencë duke mos u mundur asnjëherë. Në takimin e parë barazuam 1-1, por kishim shance për të shkruar në 2-0. Në këto eliminatore kemi arritur rezultate që nuk i kishim arritur më parë. Megjithatë jemi me këmbë në tokë, sepse kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Ndaj Danimarkës luajmë një pjesë të rëndësishme të objektivit. E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje dhe shpresoj që gjërat të shkojnë siç duhet”.
Për kapitenin Lorik Cana skuadra do të bëjë maksimumin për të arritur fitoren, por dhe një barazim do të ishte i kënaqshëm.
“Mendoj se do të japim më të mirën në këtë ndeshje të rëndësishme. Kemi mungesa por nuk dorëzohemi. Kemi shumë lojtarë të rinj në këto eliminatore, por deri tani po realizojmë ëndrrën e shqiptarëve, që është kualifikimi në Europian. Jemi në gjysmë të rrugës, por kjo ndeshje është vendimtare për të dyja skuadrat. Mbështetja e tifozëve do të jetë shumë e rëndësishme. Gjithmonë na kanë përkrahur dhe jashtë fushe kemi qenë disa herë më shumë në numër sesa vendasit. Ne do të bëjmë maksimumin dhe për ta. Kam bindjen se mund të bëjmë rezultat me këdo. Humbja është e papranueshme, ata janë favorit por ne do të bëjmë lojën tonë. Dhe barazimi do të ishte një rezultat i kënaqshëm”.
/portali DurresLajm/