Gianni De Biasi do të jetë trajneri i kombëtares sonë të futbollit deri në përfundim të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Botëror të Futbollit 2018. De Biasi ka pranuar sot ofertën e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila i është bërë e njohur atij edhe zyrtarisht pas vendimit të marrë ditën e djeshme.
Zyrtarisht, kontrata e De Biasi me FSHF përfundonte me mbylljen e ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Evropian të Futbollit 2016. Por, ajo u zgjat automatikisht, pasi Shqipëria u kualifikua për të marrë pjesë në këtë eveniment të madh futbollistik. De Biasi është trajner i kombëtares sonë të futbollit që nga fundi i vitit 2011. Fillimisht, ai u kontraktua për dy vjet, përkundrejt një pagese prej 300 mijë euro, ku përfshihej edhe stafi ndihmës teknik që ai solli nga Italia. Rinovimi i kontratës për dy vjet të tjera solli edhe rritjen e pagës, me afro 100 mijë euro më tepër. Megjithatë, termat financiarë të kontratës që FSHF ka me De Biasi kurrë nuk janë bërë plotësisht publike.
Ndërkohë, tani, pas kualifikimit për në Kampionatin Evropian të Futbollit 2016, De Biasi dhe FSHF filluan negociatat për zgjatjen e kontratës. Palët kanë rënë dakort dhe, nga sa ka deklaruar sot Armando Duka, presidenti i FSHF, De Biasi do të përfitojë një rritje page prej 60 përqind.