18 qershor 2015 – Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi, mund të ndjekin trajnerin e tyre Paulo Souza te Fiorentina. Dy futbollistët e kombëtares shqiptare, po monitorohen me shumë kujdes nga klubi vjollcë. Për t’i hequr çdo dyshim në kokë presidentit Della Valle për blerjen e dy shqiptarëve të Bazelit, mendon Gianni De Biasi, i cili në një prononcim për mediat italiane shprehet se si Xhaka ashtu edhe Gashi, do të ishin goditje të rëndësishne në merkato për skuadrën vjollcë.
Filimisht trajneri kuqezi analizon cilësitë e 24-vjeçarit energjik.
“Është një “Jolly” në mbrojtje dhe mesfushë dhe mund të mbulojë disa role: mbrojtës anësor në linjën me 4, si në të djathtë dhe në të majtë, dhe mbrojtës qendre në linjën me 3. Te Bazeli, Paulo Souza e ka vendosur shpesh në korsitë anësore edhe në rreshtimin me 3. Është një motor i pashtershëm, një pikë e fortë si në kombëtaren shqiptare ashtu edhe te Bazeli”.
Sipas De Biasit, fakti që në krye të Fiorentinës do të jetë Souza, do ta bënte më të thjeshtë përshtatjen e Xhakës në futbollin italian.
“Pa dyshim që është gati të luajë në Serinë A. Loja dhe fiziku i tij mund ta shndërrojnë në një blerje shumë të rëndësishme për Fiorentinën apo për ndonjë skuadër tjetër italiane. Pastaj, nëse do të ketë sërish trajner Paulo Sozën, është një garanci më shumë për të dhe për vetë skuadrën vjollcë. Kush më mirë se portugezi mund të nxjerrë në pah cilësitë e Xhakës? Nga Xhaka, te Shkëlzen Gashi. Sipas De Biasit, sulmuesi kuqezi është një futbollist që e ka në gjak golin, ndërsa përsa i përket pozicionit, e sheh më shumë në krahun e djathtë, sikurse e aktivizoi edhe në eliminatoren me Armeninë.
“Shkëlzen Gashi vitin e kaluar me fanellën e Grasshopers ishte golashënuesi më i mirë i Superligës së Zvicrës, duke shënuar 19 gola, për t’u shpallur më pas futbollisti më i mirë i kampionatit. Këtë vit Souza e ka përshtatur si anësor të majtë, por unë e shoh më mirë në të djathtë, pasi duke qenë një mëngjerash natyral, mund ta godasë me lehtësi portën. Golin e ka në gjak. Edhe ai mund të jetë një blerje e goditur e Fiorentinës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/