12 qershor 2015 – Përfaqësuesja kuqezi zhvilloi pasditen e të enjtes seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitijeve për miqësoren me Francën, që për trajnerin Xhani De Biasi mbetet po aq e rëndësishme sa eliminatoret e Grupit I. Trajneri italian po e përgatit me shumë kujdes sfidën ndaj skuadrës së Didier Deschamps, duke i zbatuar me përpikmëri rregullat e grumbullimit. Mediat janë lejuar të ndjekin nga afër vetëm 15 minutat e para të stërvitjes, kohë gjatë së cilës futbollistët kanë kryer vetëm ushtrimet e nxemjes, ndërsa në momentin që trajneri do të vijonte me ushtrimet taktike në ambientet e 'Tropikal'-it nuk mund të qëndronte asnjë gazetar.
Ne sencën e radhës ra në sy prania e Ledian Memushajt, i cili deri dy ditë më parë ka qenë i impenjuar me Pescarën në finalen e play-offit, pa mundur të ngjitej në Serinë A, për shkak se Bolonja ndaj të cilës skuadra e tij barazoi, është renditur në një pozicion më të lartë në fund të sezonit të rregullt.Mungesa e vetme në kampin kuqezi ishte Arlind Ajeti, i cili u është bashkuar të afërmve të tij pasi do t’i japë fund beqarisë, gjithsesi mbrojtësi i Bazelit do të vihet nën urdhrat e De Biasit në seancën e fundit stërvitore që do të zhvillohet këtë të premte në Elbasan Arena.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/