TIRANE, 12 prill 2013 – Shqipëria ka shënuar një arritje historike në renditjen botërore të FIFA-s duke zënë vendin e 48-të.
Në drejtim të trajnerit të kombëtares sonë, Gianni De Biasi kanë shkuar një lumë mesazhesh dhe komplimentash.
Ai shprehet se “zemra” është sekreti i Shqipërisë dhe ëndrra jonë.
Nëpërmjet një mesazhi në faqen e tij në Facebook, De Biasi i falënderon të gjithë për mbështetjen dhe fjalët e mira, ndërsa shton se, të gjitha këto shkojnë për lojtarët, skuadrën dhe të gjithë mbështetësit.
Unë vazhdoj ta përsëris, thotë De Biasi, është zemra që mund t’i ndryshojë gjërat.
Sipas De Biasit, falë tifozëve, zemra e lojtarëve dhe e të gjithëve ne është plot vendosmëri, entuziazëm, grinte, kurajo dhe vëmendje.
“Zemra është sekreti ynë! Zemra është ëndrra jonë.”- përfundon trajneri i kombëtarës kuqezi, Gianni De Biasi.





