Më në fund i buzëqeshur. Pas suksesit me Rumaninë, Gianni De Biazi nuk zhvlerësoi asnjë nga momentet e kaluara në 4 vjet në krye të stolit kuqezi, edhe pse është i vetëdijshëm se fitorja në Lion ishte një rezultat historik.“Ishte mbrëmja më e bukur e turneut. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, kemi kaluar ditë mjaft të bukura. Regjistruam një fitore historike për Shqipërinë, që do të kujtohet nga të gjithë.”

De Biazi vlerësoi sjelljen e skuadrës në fushë, kur duhej të mbronte rezultatin. Kombëtarja shfaqi një freski fizike dhe psikologjike si ajo që mungoi ndaj francezëve.

“Besoj se si ndaj Zvicrës dhe Francës meritonim diçka më tepër. Paguam presionin e pjesëmarrjes në një turne kaq të madh. U ambientuam me klimën, skuadra luajti mirë, qëndroi e shkurtër në fushë dhe në fundin e ndeshjes ishim më të freskët, ku pothuajse nuk rrezikuam aspak. Të gjithë tifozët shqiptarë duhet të jenë shumë të kënaqur nga ajo që skuadra ka bërë në këto tre ndeshje. Treguam se jemi në lartësinë e një turneu të tillë. Me Zvicrën mund të kishim shënuar dhe dhamë maksimumin, me Francën të gjithë e vlerësuan paraqitjen e skuadrës dhe nëse nuk do të ishte ai shpërqendrim në fund rezultati do të ishte ndryshe. Sot zhvilluam ndeshjen që duhej të zhvillonim dhe i zbatuam mirë detyrat.” 

Në fund, trajneri bëri edhe një batutë, për momentet përpara startit të sfidës ndaj rumunëve, ku së bashku me ndihmësin Tramezzani, kënduan plot entuziazëm himnin shqiptar.

“Perfekt, edhe me fjalët e duhura. Ishte e shkruar aty. Por e këndoj gjithmonë sa herë që më jepet mundësia edhe pse gjuha është e vështirë. Gjithsesi Forca Shqipëria!!”