DURRËS, 14 tetor 2014 – Trajneri i Shqipërisë, De Biazi, ka mbajtur konferencën për shtyp para ndeshjes me Serbinë, pak para se të zhvillonte seancën familjarizuese me stadiumin e Partizanit të Beogradit. Ai është shfaqur optimist, duke qenë se i ka fituar katër pikë nga dy ndeshjet e para kualifikuese, kundër Portugalisë dhe Danimarkës. “Favoritët në grup janë ende Serbia, Danimarka dhe Portugalia, por ne nuk jemi “hirushja”, sic është deklaruar në fillim. Do të përpiqemi të arrijmë edhe më të vështirën, sido që të jetë,” – ka thënë De Biazi.
Trajneri italian është i kënaqur me pritjen në Beograd dhe pretendon se nuk ka thënë për median italiane se pret një atmosferë linçimi në Serbi. “Unë kurrë nuk e kam thënë një gjë të tillë. Ne kemi ardhur këtu për të luajtur futboll normalisht dhe për të arritur një rezultat pozitiv. E theksoj, do të luajmë futboll dhe shpresoj te një lojë e ndershme. Ndjehem si çdo herë, kur luajmë në transfertë. Unë pashë se ishin rritur masat e sigurisë në qytet,” – shtoi tekniku i kuqezinjve. De Biazi vlerësoi kombëtaren serbe në fjalën e tij: “Unë e di potencialin e ekipin serb, në krye të të cilit është Advokat, një trajner me përvojë. Në gjirin e kombëtares suaj ka lojtarë të nivelit të lartë, që luajnë me klubet elitare europiane, por edhe ne, gjithashtu, ndjehemi të përgatitur mirë për të arritur një rezultat pozitiv. Sa i përket ndeshjes, e di që është e vështirë, por ne kemi ardhur këtu për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, pra tri pikët. Ne nuk jemi më Hirushja e grupit dhe këtë e kemi treguar edhe në dy ndeshjet e para ndaj Portugalisë dhe Danimarkës. Kemi ardhur këtu për t’u përballur ndaj Serbisë si të barabartë dhe për të fituar tri pikët. Vetëm kështu mund t’i kënaqim tifozët tanë të shumtë, të cilët do të na ndjekin më së shumti nëpërmjet televizionit”.
Mbështetësit e Shqipërisë nuk do të jenë në Beograd, gjë për të cilën trajneri De Biazi ndien keqardhje: “Më vjen keq për këtë, por shpresoj se mund të gëzohemi së bashku pas ndeshjes. Lojtarët tanë janë frymëzim për popullin shqiptar dhe ndihen krenarë që përfaqësojnë kombin. Ne duhet të jemi të përulur, por kjo ndeshje nuk do të jetë sigurisht e fundit në grup.” Në fund italiani është pyetur edhe në lidhje me masat e jashtëzakonshme të marra nga policia për këtë ndeshje. “Është e njëjta gjë në çdo takim, ku ka lajme që mund të prishin rendin, ndaj edhe merren masa të tilla, por mua nuk më bëjnë përshtypje”, përfundon trajneri ynë.





