DURRËS, 20 tetor 2014– Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi është rikthyer të flasë për ngjarjet e turpshme të ndodhura në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Tekniku italian ka qenë i pranishëm në stadiumin “Olimpiko” për të ndjekur ndeshjen Roma-Kievo, gjatë të cilës ka dhënë edhe një intervistë për uebsajtin “Calciomercato.it” ku ka komentuar sërish atë që ndodhi në ndeshjen e 14 tetorit: “për ndeshjen Serbi-Shqipëri kam folur shumë gjatë këtyre ditëve: ishte një situatë surreale dhe mjaft e rrezikshme. Kemi kaluar rreziqe të mëdha dhe më vjen keq pasi ndeshja duhet të ishte organizuar më mirë dhe në një stadium tjetër nga i Partizanit, sepse ky impiant nuk kishte kushtet e duhura për të garantuar sigurinë. Për të luajtur një ndeshje futbolli kushtet duhet të jenë të barabarta si për skuadrën që luan në shtëpi ashtu edhe për skuadrën që luanë në transfertë: mund t’iu them se për ne gjërat kanë qenë shumë të vështira”, ka deklaruar trajneri i kombëtares kuqezi. Më tej, De Biazi komenton edhe deklaratën e Sinisa Mihajloviçit (“Në një ndeshje futbolli ndodhin edhe gjëra të tilla”): “Nuk jam dakord me të: futbolli duhet të jetë diçka ndryshe, një moment feste. Kjo ndeshje nuk duhej luajtur dhe këtë e kam thënë që pas hedhjes së shortit. Ka shumë plagë ende të hapura të cilat duhen kuruar dhe e dija që kjo përballje ishte e rrezikshme, por kishte nga ata që nuk ishin të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Më e keqja ndodhi në fushën e lojës dhe gjatë hyrjes së skuadrës në dhomat e zhveshjeve, ku lojtarët u goditën nga tifozë të shumtë dhe policia bënte sehir. Na u desh të largoheshim me vrap për t’u strukur brenda, të ndjekur nga tifozë të shumtë: gjëra të pabesueshme, si një haluçinacion. Pas ndërprerjes së ndeshjes jemi mbyllur në dhomat e zhveshjeve dhe nuk ndodhi asgjë tjetër,përveç faktit se kur po dilnim nga stadiumi policia na kontrolloi imtësisht pasi kërkonte telekomandën e dronit”. Në lidhje me miqësoren Itali-Shqipëri De Biazi deklaroi: “Do të luajmë këtë ndeshje miqësore. Sigurisht që do të jetë një festë e vërtetë, sepse për shqiptarët është një ëndërr të luajnë kundër Italisë dhe ma kanë kërkuar vazhdimisht këtë gjë që nga momenti që kam mbërritur në Shqipëri”.





