Humbjen ndaj Zvicrës trajneri Gianni De Biazi ia faturon emocioneve. Ai vlerësoi paraqitjen e grupit, sidomos kur ndodhej në disavantazh numerik.

Trajneri i kuqezinjve tha se skuadra luan më mirë kur ndodhet nën presion.

“Paguam shumë emocionet e minutës së parë, e herës së parë. Luajmë më mirë kur nuk kemi asgjë për të humbur. Gjëja më pozitive sot është që me 10 vetë kishim dy mundësi të arta për të shënuar gol”, u shpreh ai. Por pavarësisht gjithë këtyre, De Biazi thotë se skuadra nuk shfaqi të gjithë potencialin dhe cilësitë që ka. “Jemi këtu për të luajtur evropianin tonë. Është hera e parë për të gjithë dhe jam i bindur që sot mund ta kishim luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnim në pah të gjitha cilësitë tona”, deklaroi ai.