Gianni De Biazi është i qartë në mendimet e tij. Për trajnerin e Kombëtares Shqiptare, skuadra ka reflektuar në fushën e lojës çdo këshillë që ai ka dhënë për të arritur te rezultati pozitiv por episodet janë ato që e kanë dëmtuar ekipin në dy ndeshjet e para të Evropianit.
Në konferencën për shtyp përpara sfidës kundër Rumanisë, 60-vjeçari i stolit kuqezi e pranon se fati dhe mungesa e eksperiencës kanë qenë vendimtare në dy sfidat e para.
“Besoj se në këtë turne djemtë kanë bërë gjëra shumë të mira por kemi paguar për shkak të gabimeve të vogla dhe nuk kemi qenë me fat. Jemi gjendur ne situata kur mund të shënonim por na ka munguar ftohtësia për të finalizuar atë që kemi ndërtuar. Jemi bazuar në cilësitë dhe aftësitë tona. Kam folur me djemtë dhe u thashë se nëse duam të kemi një histori të hapur me këtë kompeticion, duhet të shfrytëzojmë të gjitha rastet, por gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje pasi Rumania është një skuadër e rrezikshme dhe duhet të bëjmë kujdes edhe nga goditjet standarde pasi Rumania arrin t’i shfrytëzojë shumë mirë për shkak të karakteristikave që ka si skuadër.”
I pyetur nëse ka kontaktuar kohët e fundit me sulmuesin Besart Berisha për ta bërë pjesë të skuadrës në Evropian, De Biazi u shpreh qartë se nuk ka kontaktuar që prej dy vitesh me lojtarin që aktivizohet te Melbourne Victory në Australi, pasi ishte vetë ai që i mbylli çdo derë. Në vijim, ai e bëri të qartë se në ndeshjen e fundit të grupit, do të bëjë ndryshime të vogla në aspektin taktik, pasi ashtu siç e theksoi që në hyrje, skuadra ka treguar se mund të luajë si e barabartë me çdo kundërshtar.
“Nuk do të ndryshoj asgjë taktikisht sepse ndaj Zvicrës për një orë krijuam tre raste të pastra. Besoj se skuadra nderoi fanellën, tifozët dhe futbollin. Kemi luajtur me vendosmëri duke kërkuar rezultatin gjithmonë. Deri 50 sekonda nga fundi vendosëm në vështirësi një skuadër si Franca, superiore ndaj nesh, madje goditëm edhe shtyllën dhe ka një diferencë të madhe mes një shtylle dhe golit. Për fat të keq nuk arritëm të realizonim dhe pësuam një gol për shkak të pakujdesisë por kjo mund të ndodhë”.
De Biazi shtoi më tej se Kombëtarja me lojën e saj ka bindur gjithë opinionin publik, madje arriti të interpretonte në mënyrën më të mirë ndeshjen ndaj Francës pasi lojtarët kuqezi nuk u trembën nga cilësitë dhe emrat e ekipit të Deschamps. Në fund, De Biazi ndalet te sfida e Lyonit. Ai vlerëson kundërshtarin dhe parashikon një sfidë deri në frymën e fundit mes dy skuadrave të uritura për fitore.
“Besoj se kemi dëshirë për të vazhduar përpara, edhe Rumania ka dëshirë pasi me një fitore shkon 4 pikë dhe me shumë mundësi ecën përpara. Janë një skuadër e vendosur dhe me lojë kompakte. E dimë të gjithë rëndësinë e të qenit një skuadër e bashkuar. Nesër të dyja skuadrat do të luftojnë në mënyrë të ndershme, të fitojnë pa menduar shumë për gjëra të tjera”.





