Shqipëria mund të ketë arritur maksimumin e zhvillimit në futboll me pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Francës. I këtij mendimi është trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili megjithatë beson se sfida në vetvete është të bëhet më mirë nga çka është bërë përpara.“Ndoshta Shqipëria ka arritur në maksimumin e zhvillimit, por ka gjithmonë një sfidë në vetvete në krahasim me atë që është bërë më përpara. Besoj se kjo skuadër ka ende shumë për t’u përmirësuar dhe për të shkuar përtej limiteve të veta”, u shpreh De Biazi gjatë një interviste në emisionin italian “Tutti Convocati” në “Radio24” të mërkurën, një ditë pas fitores me Maqedoninë.
E duke u ndalur te ky sukses, 60-vjeçari tha: “Në 14 minuta plus shtesën ia dolëm t’i shënonim Maqedonisë një gol që na dha tri pikët. Ndeshja e parë ishte e rëndësishme për ne, për t’i nisur kualifikueset me këmbën e mbarë. Jam i kënaqur që ia dolëm në një ndeshje aspak të lehtë për ne. Besoj se është një dhuratë e bukur për të gjithë tifozët të cilët vazhdojnë ta jetojnë atë çka u kemi bërë të jetojnë së fundmi. Ishte hera e parë në karrierën time që një ndeshje ta luanim në dy ditë të ndryshme dhe jam i kënaqur që shkoi mirë”.Por si përgatiten 14 minutat e fundit të një ndeshjeje të ndërprerë? “Të hënën bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, kurse në të dytën u përgjumëm, – shpjegon tekniku italian. – U shpjegova lojtarëve se 14 minuta nuk janë pak dhe se nuk duhej t’i shpërdoronim që në fillim, për të dhënë më pas më të mirën që ka kjo skuadër. Kur luan me intensitet, ekipi mund të bëjë gjëra të mira. Shënuam nga loja e ndaluar dhe për këtë më vjen mirë, pasi është fryt i punës dhe përgatitjeve tona”.
Nisja pozitive i jep besim trajnerit për vazhdimin në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, edhe pse për De Biazin, rruga është e gjatë dhe e vështirë: “Mendoj se kemi një grup shumë të vështirë. Askush nuk do të na kërkojë me ngulm të shkojmë në Botëror, por do të përpiqemi të ndërtojmë më tej diçka ndryshe me këtë skuadër. Në Evropian, skuadra si Islanda, Irlanda apo edhe ne (që mendoj se e meritonim të kalonim grupin për atë që dhamë në fushë) dëshmuan që futbolli sa vjen dhe ekuilibrohet. Kuptohet që kampionët e mëdhenj vazhdojnë të bëjnë diferencën dhe i fitojnë ndeshjet, por nuk ka më nga ato skuadra që pësojnë një thes me gola. Duhet të jemi të bindur që edhe do të vuajmë e do të humbasim ndeshje, por duhet të shohim përpara me besim dhe guxim. Nëse nuk beson se mund t’ia dalësh, nuk do t’ia dalësh dot kurrë. Unë besoj se kemi cilësi. Ndoshta jo me tepri, por nëse i vëmë bashkë individualitetet mesatare, mund të bëjmë gjëra të mira”, theksoi numri një i stolit kuqezi.
“Kemi përpara edhe nëntë ndeshje e 13 muaj të tjerë. E rëndësishme është që jemi në drejtimin e duhur. E kam thënë edhe herë të tjera që kampionati ynë i vërtetë është kundër Izraelit, Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit. Këto janë ndeshjet vendimtare për ne që të marrim më të mirën. Kurse kundër Italisë dhe Spanjës gjërat vijnë vetë. Cilësitë e këtyre kundërshtarëve i motivojnë lojtarët tanë më shumë se çdo rival tjetër”, shtoi ai.Emri i De Biazit gjatë verës u përmend si trajner i mundshëm i Belgjikës, Anglisë apo dhe Italisë.
Vetë tekniku konfirmon sërish se, ku më shumë e ku më pak, këto zëra ishin të vërtetë, por ai zgjodhi të vazhdonte rrugëtimin me Shqipërinë. “Sidomos zërat në lidhje me Italinë ishin shumë më reale se ato me Anglinë. Kurse për Belgjikën, isha edhe atje, pak a shumë në balotazh. Por në fund bëmë zgjedhje të ndryshme dhe mirë është edhe kështu. Në fund të fundit do të më duhej të prishja një kontratë që ishte në fuqi, ndërsa mundohesh të shohësh edhe drejt të ardhmes, për të kërkuar sfida dhe emocione të reja. Edhe pse Shqipëria tani është si shtëpia ime”, përfundoi De Biazi.





