19korrik 2015 – Xhani De Biazi është në kulmin e vet që nga koha kur ka marrë drejtimin e Shqipërisë. Fitoret kundër Norvegjisë, Portugalisë, Francës si dhe ecuria mbresëlënëse e kuqezinjve në këto eliminatore, sigurisht që i ka rritur kreditet edhe në arenën ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka pranuar se ka marrë një ofertë nga një klub i huaj, por nuk ka zbuluar se për çfarë bëhet fjalë. “Një klub i huaj më ka kërkuar me insistim dhe vazhdon ta bëjë. Por unë kam dëshirë të shkojmë me Shqipërinë në Europianin e Francës. Vetëm kaq mund të them tani”, ka deklaruar De Biazi për “tuttomercatoweb”, duke konfirmuar kështu se nuk ka ndër mend të tundohet nga mundësitë e tjera që i krijohen, për të çuar deri në fund misionin e nisur me kuqezinjtë.

Po për çfarë oferte bëhet fjalë? Klubi është nga Emiratet Arabe dhe oferta është 1.7 milionë euro në kompleks. 1.5 milionë euro në sezon për trajnerin dhe 200 për një nga ndihmësit e tij. Burime pranë stafit të trajnerit bëjnë me dije se rolin e negociatorit po e bën Bazile Boli. Ish-futbollisti i Kombëtares franceze, i cili të vetmin gol me fanellën e “gjelave”, si për ironi të fatit, ia ka shënuar Shqipërisë. Po, bëhet fjalë për ndeshjen e 17 nëntorit 1990, e vlefshme për eliminatoret e “Euro 1992″. Në stol asokohe ka qenë Mishel Platini. De Biazi ndërkaq e ka refuzuar ofertën, ose më saktë e ka lënë pezull atë.

Momentalisht, është i  fokusuar te Shqipëria, por mbetet për t’u parë se si do të shkojnë gjërat në të ardhmen. Deri tani Duka e ka dribluar dy herë çështjen e rinovimit të trajnerit, edhe pse ky i fundit i ka lëshuar sinjale të pastra se ka dëshirë të qëndrojë me kuqezinjtë. Nga ana tjetër, disa ish-trajnerë të përfaqësueses, si Birçe dhe Bajko janë të mendimit se FSHF nuk ka pse të nxitohet me rinovimin e De Biazit. Më mirë që ai të nënshkruajë në fund të këtij edicioni. Gjithsesi, momentalisht duket e vështirë që të mos jetë në krye të Shqipërisë në rast kualifikimi në “Euro 2016″, edhe pse 1.5 milionë euro mbetet një shifër shumë e majme…