Lojtarët zbritën të gjithë një nga një në tapetin e blertë të “Renzo Barberës” për të kryer stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes me Italinë. Pasi bënë nxehmjen me përgatitësin atletik dhe nisën të mbanin topin në grupe të vogla, mbërritja e trajnerit De Biazi bëri që të gjithë të bashkoheshin.Trajneri u komunikoi disa fjalë, ndërsa më pas të gjithë nisën të aplikonin skemat dhe ushtrime teknike me topin brenda zonës së rreptësisë. Ishte një duel mes mesfushorëve e sulmuesve të ekipit Kombëtar kundër mbrojtësve, të cilët duhet të mësonin të qëndronin të kujdesshëm dhe vigjilentë gjatë gjithë kohës.
Për t’u tërhequr vëmendjen, kur bënin gabime ishte sulmuesi Bekim Balaj. Shkodrani disa herë i bëri thirrje Hysajt dhe Veselit që të mos e tepronin me mbajtjen e topit në zonë. “Hiqe, hiqe topin o burrë, mos rreziko”, u ka thënë Balaj disa herë mbrojtësve kuqezi.Xhani De Biazi ka blinduar krahët e skuadrës, duke menduar se rreziku më i madh do të vijë nga skema e Venturës 4-2- 4. Trajneri kuqezi i përgjigjet me skemën 4-1-4-1, ku Ajeti ka mbajtur deri në momentet e fundit zgjedhjet e De Biazit. Me gjasë, ai do të shtrëngojë dhëmbët për të zbritur në fushë, ndërsa sulmi këtë herë i besohet Cikalleshit, i cili do të shfrytëzojë shpejtësinë për të vendosur në vështirësi mbrojtjen e Italisë.Lila nga njëri krah dhe Roshi nga ana tjetër janë provuar ditën e djeshme, ndërsa Veseli-Ajeti e Kukeli do të jenë në mbrojtje. Memushaj e Abrashi qëndrojnë përpara mbrojtjes, ndërsa Agolli dhe Hysaj plotësojnë prapavijën. Në portë me shumë gjasa do të jetë Strakosha, por De Biazi tha se kishte ende 3 dilema.