26shtator 2015 – Alban Meha rikthehet në Kombëtare pas supergolave në kampionatin turk me Koniasporin. Forma e shkëlqyer që po kalon fantazisti e ka bindur trajnerin Xhani De Biazi se nuk mund ta lërë sërish jashtë, ashtu siç bëri në dy ndeshjet e fundit ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Burime të besueshme FSHF treguan se italiani e ka futur sërish në planet e tij specialistin e goditjeve të dënimit, duke i dërguar ftesë për dy ndeshjet vendimtare të Kombëtares ndaj Serbisë dhe Armenisë.

Gjatë javëve të fundit, Meha ka bërë liderin te skuadra turke, në një kohë që për mosgrumbullimin në përfaqësuese në ndeshjet e shtatorit, ai ka evituar komentet dhe polemikat. Tashmë mbetet për t’u zyrtarizuar rikthimi i kosovarit kur De Biazi të publikojë zyrtarisht listën e lojtarëve. Para ndeshjeve me danezët dhe portugezët u gjykua si luks i tepërt mungesa e Mehës, por edhe ajo e Valdet Ramës, ndërsa menjëherë fantazisti u përgjigj me gola spektakolarë dhe, për më tepër, me një formë të mirë fizike. Mungesë e sigurt ndaj Serbisë është ajo e mesfushorit të krahut, Rama, i cili u dëmtua te Mynih 1860 dhe periudha e riaftësimit kërkon një muaj kohë.

Mërgim Mavraj ka pak shanse të jetë gati për ndeshjen ndaj Serbisë. Mbrojtësi kosovar i Këlnit, edhe pse ka qenë i bindur se do të rikthehej në formën e tij më të mirë deri më 8 tetor, gjasat janë që të mungojë sërish. Bëhet e ditur se trajneri De Biazi ka komunikuar rregullisht me lojtarin gjatë ditëve të fundit, duke mësuar për gjendjen e tij. Prej dy ditësh, Mavraj ka nisur stërvitjen me grupin te Këlni, në një kohë që u bë afro dy muaj jashtë fushave. Mësohet se De Biazi nuk kërkon të nxitohet, përtej dëshirës së madhe që mund të ketë mbrojtësi për të qenë në fushë në një ndeshje si ajo me Serbinë. Gjithsesi, javën e ardhshme do të vendoset përfundimisht dhe një mundësi është që lojtari vetëm të grumbullohet, ndërsa sa i përket aktivizimit mendohet se ka vetëm 10% shanse.

/portali DurresLajm/