Më 24 mars, Kombëtarja shqiptare do të luajë kualifikuesen e radhës në grupin e vet, në kuadrin e “Rusia 2018”. Në Palermo, kuqezinjtë e De Biazit do të kenë punë me axurrët, të cilët janë pretendentë kryesorë, së bashku me spanjollët, për t’u kualifikuar në fazën finale të Botërorit të ardhshëm. Mësohet se grumbullimi i Kombëtares do të bëhet në Durrës dhe vetëm një ditë para ndeshjes do të niset për në Palermo. Situata me mbrojtjen kuqezi është delikate, pas dëmtimit të Mavrajt, që i shtohet pezullimit të Gjimshitit dhe Berishës.
60-vjeçari nga Sarmede do të bënte këtë ekspoze të situatës: “Është një vështirësi më shumë, por duhet të njihemi më mirë me situatën, ta kuptojmë duke synuar ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundur. Kukeli qendërmbrojtës? Mund të jetë një alternative, si të gjithë ata që do të thirren. Nuk e di ende nëse do të thirret Kukeli, nuk e dimë listën. E sigurtë është se do të studiojmë mënyrën ideale për t’u përballur me Italinë, për t’i krijuar ndonjë vështirësi më shumë kësaj skuadre. Prurje të reja nga kampionati shqiptar për dy ndeshjet e marsit? Të hënën, në datën 20 mars, do t’i mësoni emrat e lojtarëve. Aty do të merrni vesh nëse emrat që përfliten së fundi janë të vërteta apo fantashkencë. Situata e Cikalleshit? Ka patur një problem të vogël fizik, por në të ardhmen, me 99 përqind do të grumbullohet. Duhet ta ketë kaluar problemin dhe në ndeshjen tjetër duhet të jetë në dispozicion për skuadrën e tij. Ndeshja me Italinë? Përballemi me një skuadër të fortë, me lojtarë në formë, si Belotti, Insigne apo Candreva. Janë lojtarë me kualitet dhe që po luajnë me vazhdimësi. Ne duhet të përgatitemi jo me 100, por me 150 përqind për t’iu kundërvënë kundërshtarit. Lojtarët duhet të luajnë edhe disa ndeshje deri në atë sfidë dhe të shohim si do të arrijmë, por do të përpiqemi të nxjerrim më të mirën tonë për t’i shfrytëzuar shanset. Ndeshjet nuk janë kurrë të humbura para se t’i luash. Duhet t’i luash dhe pastaj varet shumë se si i luan dhe si i përgatit.”