6 qershor 2014- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, vijon revolucionin në skuadrën që drejton. Pas Etrit Berishës, Erjon Dushkut, Elseid Hysajt, Mërgim Mavrajt, Renato Arapit, Alban Mehës, Burim Kukelit, Bruno Telushit, Migjen Bashës, Valdet Ramës, Hair Zeqirit, Erjon Vucajt, Armando Vajushit, Bekim Balës, Armando Sadikut, Edgar Çanit, Ergys Kaçes, Vullnet Bashës, Ilir Berishës, Amir Abrashit, Loret Sadikut, Agon Mehmetit, Shkëlzen Gashit, Ermir Lenjanit, Fidan Alitit, Azdren Llullakut, Taulant Xhakës, Jurgen Gjasulës, Sokol Cikalleshit, tekniku italian ka grumbulluar për herë të parë në një ndeshje të ekipit përfaqësues: Armir Rrahmanin, Kristi Qosen dhe Albi Dostin. Lajmi është bërë publik nga vetë tekniku kuqezi. Ai u ka dërguar ftesa të tre lojtarëve, të cilët do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen ndaj San Marinos. Duke parë edhe kundërshtarin më se modest, italiani kërkon që të kryejë sa më shumë eksperimente me lojtarë të rinj, të cilët mund t’i bëjnë punë në një të ardhme të afërt. Në fakt, Rrahmani dhe Qose janë fare të rinj dhe luajnë ende me Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ndërsa Dosti e ka kaluar moshën për këtë skuadër, pasi sot është 23 vjeç. Që të tre lojtarët kanë udhëtuar në mënyrë individuale nga vendet e tyre: Rrahmani nga Kosova, Qose që nga Greqia ku jeton prej vitesh me familjen, ndërsa Dosti nga Durrësi. Ata i janë bashkuar në mbrëmje ekipit në San Marino dhe do të vijojnë stërvitjen nën mbikëqyrjen e stafit teknik. Amir Rrahmani është i datëlindjes 24 shkurt 1994, i lindur në Prishtinë. A ka pasaportë shqiptare dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit. Me Kombëtaren Shpresa ka zhvilluar 4 ndeshje, por më së shumti ka shpërthyer sivjet te Partizani, duke qenë një pikë e fortë në mbërritjen e skuadrës së kuqe. Kristi Qose ka lindur në Korçë, por jeton prej vitesh në Greqi me familjen. Ai është rritur në akademinë e PAOK-ut të Selanikut, ku luan edhe Ergys Kaçe. Qose është mbrojtës dhe ka luajtur 3 ndeshje me Kombëtaren shqiptare U-19. Së fundmi ai është thirrur edhe nga Shpresat. Ndërsa Albi Dosti ka luajtur 5 ndeshje me Shpresat dhe aktualisht është pjesë e Teutës së Durrësit në Superiore.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





