18 dhjetor 2014 – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka dhënë voton e tij në lidhje me çmimin më prestigjioz individual në botën e futbollit, “Topi i Artë”. Sipas informacioneve, tekniku italian i kuqezinjve i ka dhënë vendin e parë sulmuesit portugez të Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo. Rendimenti i jashtëzakonshëm që ka pasur CR7 gjatë këtij viti e bën atë si favoritin kryesor për të marrë për të tretën herë këtë çmim. Kujtojmë se Ronaldo do të jetë vitin tjetër në Shqipëri (duke anashkaluar ndonjë surprizë apo dëmtim), në përballjen që Portugalia do të luajë në “Elbasan Arena”, ndaj kuqezinjve më 7 shtator.
Në vend të dytë, De Biazi ka vendosur portierin e Bajernit të Mynihut, Manuel Nojerin. Sipas tij, ky i fundit është aktualisht, portieri më i mirë në botë. Ndërsa në vend të tretë, De Biazi i ka dhënë votën Arjen Robenit. Ky i fundit fitoi Bundesligën dhe ndihmoi shumë Holandën në Botëror, por pa shkuar më shumë sesa kaq. Sakaq, De Biazi ka lënë jashtë Lionel Mesin, edhe pse ky i fundit arriti të shkonte në finalen e Botërorit 2014 me Argjentinën, madje edhe të merrte çmimin e futbollistit më të mirë të Kupës së Botës, “Brazil 2014″. Për De Biazin, “Pleshti” ka qenë larg formës së dëshiruar gjatë këtij viti, ndaj nuk meriton të jetë as në podiumin e nderit.





