Kevin de Bruyne ka befasuar me përgjigjen e tij rreth mundësisë që të transferohet në Arabinë Saudite.

Një nga mesfushorët më të mirë të dekadës së fundit në Europë, po mendon largimin nga Manchester City.

32-vjeçari ka fituar gjithçka në karrierë me “Qytetarët” dhe tani që është në perëndim të karrierës po mendon, të luaj në një ligë më të dobët, ku do të fitonte shumë para.

“Propozimet nga Arabia Saudite janë interesante, në moshën time, duhet të jesh i hapur për gjithçka. Ju po flisni për një shumë të jashtëzakonshme parash në fazën time të fundit të karrierës, duhet të mendoj për këtë. Nëse luaj atje për dy vjet, do të mundë të fitoj një shumë të konsiderueshme parash. Për ti fituar këto shifra në Europë më duhet të luaj për 15 vjet dhe ndoshta nuk do t’i arrij”, tha Kevin de Bruyne.

Mesfushori belg zbuloi se edhe për familjen e tij transferimi në Arabinë Saudite do të ishte diçka tërheqëse.

“Për gruan time, aventura ekzotike është në rregull. Më duhet të mendoj për të ardhmen time, ne jemi duke e diskutuar me familjen këtë gjë. Kam dhe një vit kontratë me Manchester City-n, kështu që do të jetë koha e duhur të mendoj për këtë punë dhe të vendos për të ardhmen time”, u shpreh de Bruyne.